Rajoni

Zgjedhjet në Kosovë, DnV vëren intensifikim të fushatës, shpenzimeve dhe gjuhës së urrejtjes!

Rrjeti i organizatave joqeveritare në Kosovë, Demokracia në Veprim (DnV) tha sot se në javën e tretë të fushatës për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit konstatohet intensifikim i aktiviteteve partiake, si dhe i gjuhës nxitëse e të urrejtjes. Fushata zgjedhore nisi zyrtarisht më 11 janar e do të zgjasë deri në ditën kur të hapen qendrat e votimit. Sipas DnV-së, në javën e tretë, fushata ka qenë e qetë, përveç një rasti në Skënderaj, ku u tentua të pengohet një tubim i Lëvizjes Vetëvendosje, partisë në pushtet.

Disa qytetarë atje tentuan të pengonin grumbullimin e këtij subjekti politik e përdorën mjete piroteknike. Violeta Haxholli nga DnV, vë në dukje se të tilla situata rrezikojnë të përsëriten në ditët e fundit të fushatës kur partitë politike të organizojnë takime përmbyllëse.

Haxholli tha se organizata që përfaqëson e ka dënuar incidentin në Skenderaj, pasi ka qenë në kundërshtim me lirinë e grumbullimit e parimet e demokracisë, si dhe iu bëri thirrje subjekteve politike për përgjegjësi, duke iu kërkuar të përmbahen nga gjuha nxitëse.

Disa qytetarë protestuan para vendit ku duhej të fliste Albin Kurti, kryeministri i Kosovës, i cili synon një tjetër mandat, si dhe u dëgjuan duke bërtitur: “Thaçi, Thaçi”, referencë për ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçin, ish-kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), që tradicionalisht ka qenë në krye të garës në Skënderaj.

Në zgjedhjet e vitit 2021, PDK-ja pati siguruar 70.9% të votave në këtë komunë ndërsa Lëvizja Vetëvendosje, 20. Ndër të tjera, Haxholli përmendi se në javën e tretë të fushatës është rritur edhe numri i shpenzimeve të partive për sponsorizime në rrjetet sociale, në vlerë rreth 50 mijë euro.

Partitë politike në Kosovë kanë të drejtë të shpenzojnë mbi dy milion euro në fushatën për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit ose jo më pak se një euro për një votues të regjistruar. Kështu është e përcaktuar me rregulloren e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), e miratuar në muajin gusht të vitit të kaluar.

Kjo rregullore specifikon se në zgjedhjet e përgjithshme, ato lokale, si dhe për kryetarë të komunave, kufizimi i shpenzimeve do të jetë në jo më pak se një euro për votues.