Rajoni

Zgjedhjet në Kosovë, Vetëvendosja e Albin Kurtit rikonfirmohet forcë e parë!

Lëvizja Vetëvendosje, forcë e parë në zgjedhjet parlamentare të një dite më parë në Kosovë. Por, pavarësisht kryesimit, duket se partia e kryeministrit Albin Kurti duhet të negociojë një koalicion me partitë e tjera për të formuar qeverinë e re.

Kur janë përpunuar mbi 70% e votave, Vetëvendosje fitoi 41.99, e pasuar nga Partia Demokratike me 22.68, Lidhja Demokratike me 17.9% dhe koalicioni i mbledhur rreth Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, me 7.56. Kjo sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, që pohoi se është përballur me probleme teknike gjatë numërimit.  Procesi u zgjat dhe përpunimi i të dhënave po kryhet manualisht.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se pret që KQZ-ja ta përfundojë me sukses numërimin e votave. “Presidentja do të vazhdojë të jetë në kontakt me të gjitha institucionet përkatëse, deri në sigurimin e plotë që i gjithë procesi zgjedhor, përfshirë numërimin dhe publikimin e rezultateve, të zhvillohet në përputhje me standardet më të larta demokratike e me vullnetin qytetar”, thuhet në një deklaratë.

Rezultati i deritashëm i zgjedhjeve në Kosovë shënon një rënie nga më shumë se 50% sa fitoi partia e kryeministrit Albin Kurti në zgjedhjet e shkurtit të vitit 2021. Kurti vuri në dukje se zgjedhjet ishin të lira, demokratike dhe të ndershme. Ndërkaq, konfirmoi se do të formojë qeverinë e re, Kurti 3.

Mbështetësit e partisë së Kurtit kremtuan fitoren në Prishtinë dhe disa qytete tjera të Kosovës. Ndërkaq, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, tha se partia e tij priste rezultat më të mirë në zgjedhje në të cilat siç u shpreh, doli me 18.14%. Tashmë, pret që rezultati të rritet me numërimin e votave nga diaspora.