Në Parkun Olimpik “Feti Borova” kanë mbërritur rreth 3500 vota të Diasporës për zgjedhjet parlamentare të 11 majit.
Rreth 250 mijë shqiptarë janë regjistruar për të votuar nga jashtë.
Deri tani kanë mbërritur rreth 3500 zarfe, ose vota më mirë të themi. Bëmë evidentimin e dy zarfeve me votat e para. Njëra ishte nga Gjermania dhe i përket qarkut Berat, tjetra për qarkun Dibër e vinte nga Franca. Dy zarfet e parë që ne hapëm janë të rregullt nga çdo pikëpamje.
Fillimisht, ne grisim zarfin e DHL-së. Poshtë zarfit të DHL-së nxjerrim zarfin B, i cili përmban zarfin A dhe brenda zarfit A gjendet fleta e votimit. Të gjitha zarfet B ndahen sipas qarqeve e depozitohen në kutitë përkatëse të votimit të qarqeve përkatës.
Në datën 11 maj, pasi të përfundojë procesi i votimit dhe të fillojë procesi i numërimit do të nxjerrim zarfet B nga kutia. Pas zarfit B do të nxjerrim zarfet A. Zarfet A do të grumbullohen në një tjetër kuti të veçantë, me qëllim që mos të identifikohet se kujt i përket zarfi A. Më pas fillon procesi i numërimit.
Celibashi sqaroi procedurën duke e ilustruar me Qarkun e Tiranës.
Në momentin kur fillon procesi i numërimit për qarkun e Tiranës për votat brenda vendit do të fillojë edhe procesi i numërimit dhe vlerësimit të votave të votuesve nga jashtë që janë të regjistruar në Qarkun e Tiranës.
I pyetur mbi elementët e sigurisë, Celibashi sqaroi se kutitë do të qëndrojnë në këtë ambient, që është i mbikëqyrur me kamera 24/7. Duke folur mbi procesin e shpërndarjes së fletëve të votimit, Celibashi informoi se ende nuk ka filluar për Shkodrën e Vlorën.
I pyetur mbi shqetësimet e opozitës për operatorin postar që shpërndan zarfet, Celibashi theksoi se “zarfet shpërndahen të gjithë nga DHL-ja dhe marrëdhënia kontraktuale e KQZ-së është me DHL-në”.