Në Poloni, personat me të drejtë vote janë thirrur t’i drejtohen kutive të votimit për raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale. Rreth 29 milion votues duhet të zgjedhin pasardhësin e presidentit Andrzej Duda, i cili nuk është pjesë e garës për shkak të një kufizimi prej dy mandatesh. Trembëdhjetë kandidatë që përfaqësojnë të gjitha tendencat e spektrit politik do të garojnë në raundin e parë.
Kryebashkiaku pro-BE i Varshavës, Rafal Trzaskowski, pritet të marrë 30% të votave, sipas sondazheve të opinionit, përpara 25 përqindëshit të historianit nacionalist Karol Nawrocki. Kjo do t’i çonte të dyja vendet në balotazhin e 1 qershorit, në një moment veçanërisht të tensionuar për Europën. Ndërsa pushtimi i Ukrainës nga Rusia po zgjatet, populistët e ekstremit të djathtë vazhdojnë të rriten dhe lidhjet me Uashingtonin janë të tendosura.
Trzaskowski, i mbështetur nga partia Platforma Qytetare e kryeministrit Donald Tusk, pritet të pasohet nga kandidati konservator dhe nacionalist Karol Nawrocki, i mbështetur nga partia kryesore e opozitës Ligj dhe Drejtësi (PiS) me 24%.
Kandidati i ekstremit të djathtë Slawomir Mentzen, i mbështetur nga Konfederata e Lirisë dhe Pavarësisë mund të renditet i treti duke marrë rreth 12-13% të votave, referuar sondazheve.
Nëse këto parashikime dalin të vërteta, Polonia duhet të shkojë përsëri në zgjedhje më 1 qershor për të zgjedhur Trzaskowskin ose Nawrockin si president të ri.
Vota nuk ka të bëjë vetëm me faktin nëse njëri mes Rafal Trzaskowskit, i Platformës Qytetare të qendrës së djathtë apo konservatorit kombëtar Karol Nawrocki, dy kandidatë kryesorë do të bëhet presidenti i ardhshëm i Polonisë. Ka shumë më tepër gjëra në lojë në këto zgjedhje.
Rezultati i zgjedhjeve presidenciale do të përcaktojë nëse qeveria pro-europiane e qendrës së majtë e udhëhequr nga Donald Tusk mund të çojë përpara planet e saj, të penguara nga presidenti Andrzej Duda që kur qeveria u zgjodh rreth 18 muaj më parë.
Edhe pse kreu i shtetit polak nuk ka aq shumë pushtet sa presidentët francezë ose amerikanë, ai ka shumë më tepër sesa presidenti gjerman, për shembull, i cili mban një rol kryesisht përfaqësues.
Presidenti polak, i cili zgjidhet drejtpërdrejt nga populli dhe është komandant i lartë i forcave të armatosura, mund të vërë veton ndaj projektligjeve qeveritare, ka të drejtë të flasë në politikën e jashtme të vendit e mund të propozojë legjislacion të ri.