Bota

100 pemë në minutë zhduk konsumi i Bashkimit Europian!

Një studim i bërë nga Organizata Ndërkombëtare e Mbrojtjes së Mjedisit  (WWF)-ja ka zbuluar se konsumi i sojës, vajit të palmës, kakaos, kafesë, mishit të viçit, drurit industrial dhe gomës nga qytetarët e BE-së çoi në prerjen e 149 milion pemëve në të gjithë botën nga viti 2021 deri më 2023-shin.

Kjo korrespondon me një mesatare prej 100 pemësh të humbura çdo minutë për shkak të kërkesës së BE-së, siç ka njoftuar grupi i mbrojtjes mjedisore në samitin e OKB-së për klimën në Brazil.

Takimi dyjavor i rreth 200 vendeve në rajonin e Amazonës përqendrohet pjesërisht në mbrojtjen e pyjeve tropikale, të cilat luajnë një rol të rëndësishëm në mbrojtjen e klimës.

Sipas studimit, konsumi gjerman çon në një humbje mesatare prej 13 milion pemësh në vit, i ndjekur nga Spanja (6,5 milion pemë) dhe Franca (6,3 milion).

WWF-ja deklaroi se rregullorja e BE-së kundër shpyllëzimit, që është miratuar tashmë në Bruksel por zbatimi i së cilës është shtyrë, do të parandalonte këtë mbishfrytëzim në të ardhmen.

Tani, pritet që rregullorjatë hyjë në fuqi më 30 dhjetor. Qëllimi është të arrihen zinxhirë furnizimi pa shpyllëzime.

Në mënyrë specifike, kompanitë në të ardhmen do të duhet të paraqesin një deklaratë që pohon se asnjë pyll nuk është dëmtuar për produktin në fjalë që nga 31 dhjetori 2020. Ata që nuk i përmbahen rregulloreve do të përballen me gjoba të rënda.