Realizohet transferimi i 142 të burgosurve nga burgu i Fushë-Krujës drejt atyre të Peqinit dhe Durrësit, për shkak të rikonstruksionit të institucionit. Konkretisht 85 prej të burgosurve janë dërguar në Peqin dhe 57 në Durrës.
Për realizimin e këtij operacioni janë marrë të gjitha masat e nevojshme për ruajtjen dhe shoqërimin e të burgosurve nga forcat operacionale, nën drejtimin e specialistëve përkatës. Për lëvizjen janë njoftuar edhe Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë, Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan, si dhe komisariatet përkatëse, në përputhje me itinerarin e përcaktuar.
Autokolona me 57 të burgosur mbërriti pa probleme në IEVP Durrës, ku janë marrë masat e plota për pritjen, kontrollin dhe sistemimin e tyre, nën drejtimin e drejtuesve të institucionit.
Ndërsa autokolona me 85 të burgosur arriti pa probleme në IEVP Peqin, ku u zbatuan të gjitha procedurat standarde për pritjen, kontrollin dhe sistemimin e të burgosurve.
Procesi i transferimit është zhvilluar në mënyrë të qetë dhe të sigurt, në përputhje të plotë me aktet ligjore dhe rregulloret në fuqi.