Nisi gjyqi në themel ndaj Erion Veliajt dhe 29 të tjerëve që akuzohen nga SPAK-u për korrupsion e pastrim parash.
Fillimi i gjykimit në themel të dosjes Veliaj, të paraqitur me provat dhe akuzat nga ana e Prokurorisë së Posaçme.
Gjykata e Posaçme miratoi kërkesën e Erion Veliajt lidhur me vendosjen në dispozicion të akteve hetimore. Dorëzimi i tyre do të kryhet nëpërmjet një oficeri të BKH-së, brenda një afati të shkurtër në IEVP-në Durrës.
Gjykata vendosi të marrë kohën e nevojshme që të shohë të gjitha aktet e përcjella nga gjyqtari i seancës paraprake. Të pandehurit që nuk u paraqitën, legjitimuan avokatët që janë zgjedhur prej tyre. Në lidhje me ecurinë e procesit gjyqësor për Erion Veliajn do të përsëritet njoftimi.
Pamundësia për vijimin e seancës së sotme ishte mungesa e Gentian Sulës dhe avokatit të tij, i cili deklaroi se gjendet jashtë vendit, si dhe avokati i kompanisë Fusha. Seanca u shty për më 24 mars, ora 14:30.
Kryebashkiaku Veliaj nuk ishte i pranishëm. Seanca e parë në themel u drejtua nga gjyqtarja Engjëllushe Tahiri, ndërsa dy relatoret ishin Alma Kodraliu e Rudina Palloj.
SPAK-u u përfaqësua me prokurorin Ols Dado. Erion Veliaj ishte njoftuar për seancën dhe depozitoi një deklaratë ku thuhej:
Nuk dua të paraqitem.
Gjithashtu, aty theksohej:
S’ka bërë ende seancë paraprake e jo më të jetë në fazën e themelit për gjykim.
Ai u mbrojt nga avokatja kryesisht, Valentina Teodoresku.
Veliaj pretendoi se gjyqtarja e seancës paraprake, Etleva Deda i mohoi të drejtën për t’u mbrojtur efektivisht dhe kërkoi përjashtimin e saj, kërkesë që u rrëzua. Avokatja Teodoresku e ka mbështetur këtë duke thënë:
S’patëm mundësi të mbrohemi në seancën paraprake. Veliaj ka të drejtë me deklaratën. Kemi kërkuar të gjitha dokumentet, por Veliajt nuk iu dhanë dokumentet që të njihet me procesin. Edhe sot, paraqesim kërkesë që Veliaj të ketë dokumentet dhe t’i jepet kohë të përgatitet për seancën e radhës.
Prokurori Dado e mohoi pretendimin e kryebashkiakut e vuri në dukje se qëndrimi i SPAK-ut nuk ndryshon.
Veliaj është njohur me aktet, u shpreh Ols Dado.