Aktualitet Politikë Zgjedhjet 2025

11 Maji, Berisha në Himarë: Paprekshmëri të pronës, rikthim e kompensim i saj!

Fushatën për zgjedhjet e 11 Majit, kryedemokrati Sali Berisha e vijoi në Himarë, ku u shfaq në krah të Fredi Belerit, i cili, i dënuar për blerje votash nuk arriti të zgjidhej kryebashkiak. Në takimin ku prezantoi kandidatët e Koalicionit “PD-Aleanca për Shqipërinë Madhështore”, Berisha mbajti një fjalim ku u shpreh:

E vërteta është se qëndresa e Himarës është një faqe e lavdishme në historinë e njeriut, në betejën me të keqen, qëndrimin e tij të pamposhtur dhe ju të tillë keni qenë në të gjitha kohërat. Dhe ta marrë vesh Edi Rama se pushtimeve, askush nuk i ka dhënë përgjigje më të merituar se Himara dhe Himara ia dha Edi Ramës atë përgjigje që meritonte. Atë përgjigje ia dha me Fredi Belerin.

Miqtë e mi, Donald Trump në fushatën e tij elektorale iu tha amerikanëve se një rrezik më i madh për amerikanët se sa fuqia e Kinës apo Rusisë është armiku i brendshëm. Çfarë ishte ky armik i brendshëm? Ky armik i brendshëm në SHBA dhe në Shqipëri ishte armiku që përdorte drejtësinë për të marrë mandatet e të zgjedhurve tuaj, pasi nuk i mundnin dot në fushë-betejë, pasi bënin gjithçka që ju të mos e votonit. Por ju e votuat dhe atëherë përdori si burracak drejtësinë e tij për t’i marrë kryetarit tuaj të zgjedhur mandatin.

Bëri një kurth të vjetër, të shpifur, nga ato që Himara i mban mend shumë mirë se i kurdiste Sigurimi i Shtetit, vetëm e vetëm për t’i grabitur mandatin. Prokurorët dhe gjykatësit e kontrolluar prej tij, nuk e lejuan Belerin siç ishte lejuar çdo tjetër i votuar më përpara, nuk e lejuan që të vinte të bënte betimin dhe shkaku ishte vetëm një: se Beleri nuk pranoi të kandidonte për partinë e tij.

Se Beleri i tha se unë jam i djathtë dhe unë kam parimet e mia dhe ato parime nuk putheshin kurrë me parimet e atij që kërkon t’u vjedhë tokat, të plaçkisë tokat tuaja. Ndaj dhe unë e nisa fjalën time se më i keqi i të gjithë të këqijve është armiku i brendshëm që të merr lirinë, që përdor drejtësinë për dhunë politike, që dhunon të drejtat më elementare, më themelore të njeriut, pronën, votën.

Çfarë i mbetet më një njeriu të lirë? PD-ja dhe aleanca e saj janë një aleancë konservatore, e cila ka në themel vlerat tradicionale të njeriut, dinjitetin njerëzor, liritë e tij, pronën, besimin tek Zoti, atdhetarinë. Ne besojmë fort se vetëm duke u bazuar në këto vlera mund të ndërtojmë Himarën Madhështore, Shqipërinë Madhështore.

Mund të ndërtojmë Himarën e ëndrrës së bukur të bijve dhe bijave të saj. Shqipërinë e ëndrrës së bukur të bijve dhe bijave të saj. Ndaj dhe jam këtu për t’u zotuar para jush se qeveria e ardhshme, paprekshmërinë e pronës, rikthimin dhe kompensimin e saj, pajisjen tuaj me dokumente, të gjitha legalizimet dhe çdo gjë që keni, do t’i ketë përparësi absolute.