Kreu i opozitës Sali Berisha ishte këtë mëngjes në një takim me gra e vajza në Tiranë.
Berisha u ndal te programi i PD, teksa tha se Edi Rama ia ka kopjuar atë.
“Rama kthehet kopjon programin, një ditë të bukur tha do bëj pensionin 200 euro, por ne kishim dorëzuar ligjin një vit e gjysmë para, ai e spostoi në 2030. Tani kalon te pjesa tjetër e programit, falja e gjobave. Ne kemi premtuar falje gjobash nga para 11 majit deri në 1992, çdo gjobë, çdo kamatë zerohet për çdo gjë.
Duam t’i çlirojmë qytetarët nga makthet e viteve. Ne i kemi falur kamatat këta i kanë rikthyer. Do falim dhe gjobat e biznesit të vogël. Fushata e tij është pa frutë, pa asgjë, fushatë me të cilën kërkon si të kalojë nga një ditë në tjetrën me skandale të mëdha”, tha Berisha mes të tjerash.
Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha, po ashtu gjatë prezantimit të kandidatëve për Qarkun e Korçës, u premtoi banorëve kredi të buta për fermerët, duke garantuar që prodhimi i tyre nuk do të shkojë asnjëherë dëm.
Ai tha se korçarët po jetojnë një kohë që nuk e meritojnë, por nuk duhet kurrë më të mendojnë vend tjetër për ëndrrën e tyre, përveç Korçës, Pogradecit, Devollit, Ersekës dhe Shqipërisë. Sipas Berishës konservator do të thotë tradicional dhe se tradicional do të thotë besim tek familja, çka përbën themelin e arritjeve.