Aktualitet

12 masa sigurie për ish-funksionarë të Hipotekës së Durrësit dhe përfitues pronash, prokuroria zbulon skemën!

Gjykata e Durrësit ka lëshuar 12 masa sigurie ndaj ish-funksionarëve të Hipotekës së Durrësit dhe personave të dyshuar si përfitues të pronave, në kuadër të një hetimi 4-vjeçar të Prokurorisë mbi një skemë të dyshuar të tjetërsimit të tokave.

Burime të pakonfirmuara ende zyrtarisht bëjnë me dije se personat e përfshirë dyshohen për falsifikim dokumentesh, mashtrim, shpërdorim detyre dhe pastrim të produkteve të veprës penale. Ekzekutimi i masave të sigurisë po bëhet nga policia e Durrësit.

Sipas të njëjtave burime, hetimi nisi pas inventarizimit të regjistrave hipotekorë në Kadastrën e Durrësit, ku u konstatuan parregullsi të shumta në dokumentacion.

Nga 1063 regjistra të kontrolluar, vetëm 152 mësohet se kanë rezultuar të rregullt. Në pjesën tjetër u evidentuan faqe të zhdukura, të zëvendësuara, të dubluara ose të dëmtuara, gjë që ngriti dyshime për ndërhyrje të paligjshme në regjistrat e pronave.

LEXO EDHE: Shtyhet seanca në themel për Ilir Metën dhe Monika Kryemadhin, gjykata cakton datën e radhës!

Bazuar në këto gjetje, Prokuroria hetoi më tej, duke dokumentuar, sipas dyshimeve, një skemë të organizuar për tjetërsimin e pronave shtetërore përmes manipulimit të dokumenteve dhe procedurave të regjistrimit.

Aksioni policor për ekzekutimin e masave të sigurisë vijon, ndërsa pritet që Prokuroria dhe Policia të japin në orët në vazhdim detaje të mëtejshme mbi identitetin e personave të përfshirë dhe pronat që dyshohet se janë tjetërsuar.

LEXO EDHE: Qeveria ndryshon ligjin për tregtinë elektronike, ndalohet gjeobllokimi dhe diskriminimi sipas shtetësisë në blerjet online!