Pas suksesit të jashtëzakonshëm në arkën botërore, filmi “The Housemaid” po rikthehet zyrtarisht me një vazhdim të ri. “The Housemaid’s Secret” është konfirmuar se do të nisë xhirimet brenda këtij viti, ndërsa dy yjet kryesorë, Sydney Sweeney dhe Michele Morrone, do të rikthehen në rolet që i kthyen në sensacion.

Sydney Sweeney dhe Michele Morrone do të interpretojnë sërish personazhet Millie dhe Enzo, ndërkohë që Sweeney, së bashku me autoren e librave Freida McFadden, do të vazhdojë edhe si producente ekzekutive.
Në krye të projektit do të jetë sërish Paul Feig, i cili rikthehet si regjisor dhe producent, ndërsa skenari do të adaptohet për ekranin e madh nga Rebecca Sonnenshine në bashkëpunim me studion Lionsgate.
Filmi i parë, “The Housemaid”, ku luanin Sydney Sweeney, Amanda Seyfried dhe Brandon Sklenar, u shndërrua në një sukses të madh që nga publikimi në dhjetor 2025, duke arkëtuar mbi 133 milionë dollarë në mbarë botën dhe duke ruajtur interesin e publikut për muaj me radhë.
Është e pabesueshme të shohësh se sa shumë e ka dashur publiku në mbarë botën ‘Shërbëtoren’ dhe punën fantastike të kastit tonë. Jemi shumë të emocionuar që Freida McFadden e ka vazhduar historinë e Millie-t në libra dhe që tani, së bashku me Rebecca Sonnenshine dhe Lionsgate, mund ta sjellim këtë kapitull të ri në kinema
-u shpreh regjisori Paul Feig.
Përveç “The Housemaid’s Secret”, McFadden ka publikuar edhe romanin e tretë të serisë në vitin 2024, me titull “The Housemaid Is Watching”, duke zgjeruar edhe më tej universin e historisë.
Sydney Sweeney, 28 vjeç, ka treguar së fundmi për revistën People se është më se e gatshme të rikthehet edhe në vazhdime të tjera:
Isha një fanse e madhe e librave, ndaj do të isha po aq e lumtur sa kushdo tjetër të shihja më shumë personazhe të ‘The Housemaid’ të merrnin jetë dhe të eksploroja më thellë Millie-n
Aktorja shtoi se ajo ndjen një lidhje të fortë me personazhin:
Millie është e fortë, lufton dhe e di çfarë mbron. Më pëlqejnë personazhe të tillë dhe filma që përqafojnë plotësisht forcën dhe zemërimin femëror
Edhe pse vazhdimet largohen nga personazhi i Nina Winchester, Amanda Seyfried ka shprehur dëshirën për t’u rikthyer, qoftë edhe me një rol të vogël. Aktorja 40-vjeçare i tha Variety gjatë Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Palm Springs se ka shumë gjasa të shfaqet sërish:
Dua ta shoh Nina Winchester të vazhdojë rrugëtimin e saj. Do të doja shumë të kthehesha në atë botë, edhe nëse është për një rol më të vogël