Aktorja e njohur e Hollywood-it, Sydney Sweeney, ka rikthyer vëmendjen mbi raportin e saj me Scooter Braun pasi i dedikoi një urim tepër emocional me rastin e ditëlindjes së tij të 45-të.
Përmes disa postimeve në Instagram Story, ylli i serialit “Euphoria” publikoi fotografi të përbashkëta me Braun dhe ndau fjalë që menjëherë ndezën spekulimet për natyrën e marrëdhënies së tyre.
Gëzuar ditëlindjen për burrin me zemrën më të madhe që njoh. Faleminderit për të gjitha vallëzimet nëpër dhomën e ndenjjes dhe që më bëre të qesh përsëri. Një burrë i mirë është i rrallë. Një burrë si ti vjen vetëm një herë në jetë
-shkroi aktorja.
Mesazhi i saj u komentua gjerësisht në rrjetet sociale, me shumë fansa që e interpretuan si një konfirmim të heshtur të lidhjes së tyre.
Dyshja kanë qenë gjithnjë e më shpesh në qendër të vëmendjes muajt e fundit, duke u shfaqur së bashku në disa aktivitete publike. Veçanërisht, paraqitjet e tyre në ndeshjet e play-off-it të NBA-së tërhoqën interes të madh, pasi kamerat i fokusuan vazhdimisht mes personazheve të njohur në tribunë.
Prania e tyre nuk kaloi pa u vënë re as nga komentatorët sportivë. Legjenda e basketbollit Charles Barkley bëri një koment të shkurtër gjatë transmetimit televiziv, duke shtuar edhe më shumë interesin e publikut për raportin mes tyre.
Megjithëse as Sweeney dhe as Braun nuk kanë konfirmuar zyrtarisht statusin e marrëdhënies së tyre, postimet e fundit të aktores kanë shtuar bindjen e shumë ndjekësve se mes tyre mund të ketë më shumë sesa një miqësi të zakonshme.
Për momentin, çifti vazhdon të mbajë një profil relativisht të rezervuar, por çdo dalje apo postim i tyre po analizohet me kujdes nga fansat dhe mediat rozë.