Bota

150 miliardë euro për forcimin e kapaciteteve mbrojtëse të BE-së, skema!

Bashkimi Europian sot miraton zyrtarisht skemën e tij prej 150 miliardë eurosh për të rritur shpenzimet për mbrojtjen brenda bllokut. Rregullorja e ashtuquajtur SAFE (Aksioni i Sigurisë për Europën) u propozua për herë të parë në muajin mars nga Komisioni Europian, si përgjigje ndaj thirrjeve të vendeve anëtare për mbështetje financiare dhe politike në përmbushjen e objektivave të reja të mbrojtjes të shtyra përpara nga NATO. Kjo për të qenë potencialisht zëvendësuese për Ukrainën, në rast se Shtetet e Bashkuara zhvendosin fokusin e tyre diku tjetër.

Rregullorja përfundimtare, e parë nga Radio Evropa e Lirë, e thekson qartë se “kërcënimet që paraqesin Rusia dhe Bjellorusia janë të një rëndësie dhe urgjence të veçantë” dhe duhet të marrin kundërpërgjigje me shpejtësi.

Për shkak të kohës së nevojshme për të zhvilluar produkte mbrojtëse e për të rritur kapacitetin industrial të prodhimit në të gjithë BE-në, rregullorja thekson edhe se do të jetë “jetike” që blloku europian të nisë mbështetjen për vendet anëtare “sa më shpejt të jetë e mundur, që ato të mund të bëjnë porosi shumë shpejt”.

Fillimisht, Brukseli iu përgjigj thirrjeve të vendeve anëtare duke aktivizuar klauzolën kombëtare të përjashtimit për shpenzimet ushtarake të BE-së, që do të thotë se shpenzimet për artikuj si armët dhe municionet nuk do të përfshihen në mekanizmin ndëshkues të bllokut për vendet që shkelin kufijtë e shpenzimeve të BE-së.

Kjo krijoi hapësirë fiskale, por vendet anëtare kanë nevojë edhe për para, sa më shpejt të jetë e mundur. Me disa kryeqytete të interesuara për të pasur sa më shpejt akses te fondet e propozuara dhe pa pasur nevojë për unanimitet ose miratim nga Parlamenti Europian, ambasadorët e BE-së miratuan ligjin e ri më 21 maj, me vetëm Hungarinë që votoi kundër.

Skema e re funksionon në të njëjtën mënyrë si programi i rimëkëmbjes nga COVID-i e që kishte vlerën e 800 miliardë eurove. Për SAFE, blloku do të përdorë vlerësimin e tij të kreditit të nivelit më të lartë (AAA) për të mbledhur 150 miliardë euro në tregje dhe më pas do t’ua huazojë vendeve anëtare. Në këtë mënyrë do të jetë shumë më e lirë se nëse shumica e vendeve të BE-së do të përpiqeshin të gjeneronin fondet vetë duke marrë hua individualisht.

Pesë vende të Unionit, Danimarka, Gjermania, Luksemburgu, Holanda e Suedia aktualisht gëzojnë një vlerësim AAA, prandaj me shumë gjasa nuk do të kenë nevojë të marrin pjesë në skemë, duke ua lënë një pjesë më të madhe nga huatë e mundshme vendeve më të varfra.