Bota

Bashkimi Europian dhe Britania e Madhe janë pajtuar për “rinisje” të raporteve!

Negociatorët e Bashkimit Europian dhe ata të Mbretërisë së Bashkuar kanë arritur pajtim për një marrëveshje për “rinisjen” e raporteve të tyre pas Brexit-it, siç bënë të ditur disa diplomatë ndërsa kryeministri britanik, Keir Starmer, sot po përgatitet të presë shefat e bllokut europian në një samit në Londër.

Diplomatë të BE-së thanë se shtetet anëtare i kanë dhënë dritën e gjelbër një tresheje tekstesh që pritet të nënshkruhen në samit: një Partneritet për Siguri dhe Mbrojtje, një deklaratë të solidaritetit BE-Mbretëri e Bashkuar, si dhe një Mirëkuptim të Dyanshëm për çështje të ndryshme, nga tregtia e peshkimi, deri te lëvizja e të rinjve, siç raporton agjencia franceze e lajmeve AFP.

Bisedimet thuhet të kenë zgjatur deri në natën e djeshme për zgjidhjen e disa pikave kyç. Çështja e ndjeshme e të drejtave të peshkimit ishte në krye të listës.

Referuar akordit përfundimtar, Britania do t’i mbajë ujërat e saj të hapur për peshkatarët europianë për 12 vjet, pasi të skadojë marrëveshja aktuale më 2026-ën, në këmbim të lehtësimit pa afat të caktuar të rregullave të bllokut për importet e ushqimeve nga Mbretëria e Bashkuar.

Sa i përket çështjes së lëvizjes së të rinjve, tjetër burim kyç i përplasjes, teksa Londra druan se një skemë e tillë mund të çojë në kthim të lirisë së lëvizjes ndërmjet BE-së dhe Britanisë, negociatorët raportohet të jenë pajtuar në përgjithësi për pikat kryesore.

Britania e Madhe e braktisi Bashkimin Europian më 1 shkurt të vitit 2020, pas një referendumi të mbajtur më 2016-ën, kur 51.89% e pjesëmarrësve zgjodhën të ashtuquajturin Brexit, largimin nga blloku europian.