Detaje të reja jepen nga Policia e Vlorës për ngjarjen e ndodhur mesditën e djeshme, ku një 17-vjeçare tentoi të vetëvritej me armë zjarri në lagjen “Kushtrimi”. Blutë bëjnë të ditur se kanë arrestuar babanë e adoleshentes, pasi dyshohet se ka qenë dhuna psikologjike e ushtruar prej tij, shkaku që e shtyu drejt aktit ekstrem.
Në vijim të veprimeve hetimore që po kryhen në drejtimin e Prokurorisë, për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes së ndodhur mesditën e djeshme, në lagjen “Kushtrimi”, ku një shtetase 17 vjeçe mbeti e plagosur rëndë pas tentativës për vetëvrasje me armë zjarri, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Vlorë: arrestuan në flagrancë, për veprat penale “Dhuna në familje” dhe “Shkaktimi i vetëvrasjes”, shtetasin S. S., 43 vjeç, banues në fshatin Romës, Vlorë, pasi dyshohet se, për shkak të dhunës së ushtruar ndaj vajzës së tij të mitur, ajo ka tentuar të vetëvritet, në gjendje të rënduar psikologjike, me armë zjarri të dyshuar pistoletë, informon policia.
Po ashtu është proceduar në gjendje të lirë gjyshi i 17-vjeçares pasi dyshohet se pistoleta që ajo përdori për të kryer vetëvrasje, posedohej prej tij në mënyrë të paligjshme.
U referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin P. H., 76 vjeç, gjyshi i të miturës, për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, pasi dyshohet se posedonte në mënyrë të paligjshme armën e zjarrit me të cilën ka tentuar të vetëvritet mbesa e tij.