Kai Cenat ka thyer rekordin për numrin më të madh të abonentëve në profilin e tij në Twitch. 21-vjeçari ka mbledhur 300 mijë abonentë në shërbimin e transmetimit që është nën pronësinë e Amazon, pas një përpjekjeje njëmujore për të rritur abonimet. Maratona ose ndryshe “subathon-i” e cila filloi nga 1 shkurti bëri që Cenat të transmetonte 24 orë në ditë, transmetime gjatë të cilave ai bisedonte me shikuesit, luante dhe intervistonte të ftuarit e tij, e gjithashtu edhe flinte pa lëvizur nga vendi.
“YouTube-ri” i famshëm zyrtarisht tejkaloi mbajtësin e rekordit të kaluar, Ludwig Ahgren. Twitch është një platformë e transmetimit të drejtpërdrejtë, ku përdoruesit zakonisht luajnë videolojëra dhe bisedojnë me shikuesit e videove.
Ludwig e kishte mbajtur rekordin për më së shumti abonentë në Twitch, i cili arriti shifrën e lartë prej 283 mijë shikues gjatë një transmetimi të vazhdueshëm në prillin e vitit 2021. Dy vjet më vonë, Cenat theu rekordin e Ludwig me maratonën e tij të abonimit ose ndryshe “subathon”, një transmetim i cili ka një kohëmatës numërimi mbrapsht, koha e të cilit zgjatet sa herë që dikush abonohet në kanal.