Twitch planifikon të ofrojë këtë vit mjete financiare si abonimet dhe Bits për të gjithë ‘streamerët’, ka konfirmuar drejtori i kësaj platforme, Dan Clancy. Më parë, ‘monetizimi’ i transmetimeve në Twitch kërkonte arritjen e statusit “Affiliate” në këtë platformë, por kjo do të ndryshojë. Abonimet e përdoruesve në një kanal Twitch dhe mbështetja përmes Bits, monedhës digjitale të Twitch-it, janë dy mënyrat kryesore që një ‘streamer’ mesatar të fitojë para nga transmetimet e tij, përveç të ardhurave pasive nga reklamat ose sponsorët. Aktualisht, çdo abonim i ri ndahet në një raport 50/50 pas përpunimit të tarifave dhe taksave, ndërsa çdo Bit i marrë gjatë një transmetimi vlen 0.01 dollarë.
Twitch po bëhet gjithnjë e më shumë si TikTok me kalimin e kohës. Sipas raporteve të reja, Twitch do të ketë mundësinë e transmetimit vertikal të lojërave, ndërsa rezolucioni 2K do të lejojë shikimin, për shembull, të transmetimeve të lojës “League of Legends” në cilësi më të lartë. Bëhet e ditur se transmetimi në modalitetin portret do ta bëjë më të lehtë shikimin e transmetimeve të lojërave në telefona.
Por për fat të mirë, Twitch po prezanton gjithashtu një modalitet të formatit të dyfishtë. Krijuesit mund të transmetojnë njëkohësisht drejtpërdrejt vertikal dhe horizontal, ndërsa shikuesit kanë mundësinë të vendosin se çfarë funksionon më mirë për pajisjen e tyre. Kompania do të fillojë testimin “në një numër të vogël kanalesh” këtë verë, me këto veçori që do të zgjerohen më vonë këtë vit.
Përveç këtyre ndryshimeve, Clancy njoftoi se Twitch do të prezantojë më shumë mënyra që ‘streamerët’ të fitojnë para së bashku. Kjo përfshin mjete të reja për redaktimin dhe krijimin e videove nga transmetimet, si dhe mjete të zgjeruara për moderimin në pajisjet mobile. Twitch ka rishikuar qasjen e tij ndaj moderimit dhe shkeljeve të rregullave në muajt e fundit. Më herët këtë muaj, kompania ndryshoi mënyrën e trajtimit të shkeljeve të rregullave të komunitetit, duke lejuar që disa prej tyre të “skadojnë” pas një periudhe të caktuar kohe.