Komisioni për Ankesat dhe Sanksionet, KAS shqyrton sot ankesën e Partisë Socialiste për formatin e fletës së votimit në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit. Sipas maxhorancës, fleta me emra përbën konfuzion për votuesit sidomos te moshat e mëdha, duke ua bërë edhe më të vështirë votën për kandidatin e preferuar.
Nga Komisioni i Ankesave, selia rozë kërkon që formati përfundimtar i fletës të jetë vetëm me numrin e kandidatit për deputet që numrit t’i lihet më shumë hapësirë për t’u parë. Ndërkaq, KAS-i hodhi shortin për relatorin që do të shqyrtojë ankimimin e socialistëve dhe u zgjodh Koli Bele.
Rikujtojmë, se Presidenti i Republikës Ilir Meta ka shprehur gatishmërinë e tij për të garantuar votën e lirë në zgjedhjet e 25 prillit. Pas një takimi me ambasadoren Ursula Gacek e cila drejton Misionin e Vëzhgimit të OSBE/ODIHR për votimet parlamentare, Ilir Meta deklaroi se ka folur edhe për krimin zgjedhor.
Ndërkaq, Yuri Kim, ambasadorja e SHBA-së i ka drejtuar një apel shqiptarëve që do të votojnë në zgjedhjet e 25 prillit duke thënë se ata nuk duhet ta shesin votën e tyre pasi ajo ju përcakton të ardhmen. Kim shkruan se nuk duhet t’i votojnë kriminelët pasi qytetarët kanë fuqinë e ndryshimit dhe nuk duhet që këtë fuqi ta lënë në duar të inkriminuara.