Bota Botë e Çuditshme

27-vjeçari dhunon rëndë ish partneren dhe të dashurin e saj, i kapi ‘mat’ në hotel me ndihmën e…

Një incident ka ndodhur në një hotel në zonën e Amoudaras, në Kretë, ku policia u thirr për të ndërhyrë pas një denoncimi për dhunë në familje. Kur efektivët mbërritën në vendin e ngjarjes, u përballën me një skenë të rëndë dhune. Një 25-vjeçare gjermane u gjet në gjendje shumë të rëndë, me dëmtime serioze në trup. Nga informacionet e para u mësua se, ajo nuk ishte në gjendje të fliste dhe kishte vështirësi në frymëmarrje. Një ambulancë e EKAB mbërriti menjëherë në vendngjarje dhe e transportoi të renë në Spitalin Venizelio të Heraklionit, ku vazhdon të marrë trajtim mjekësor.

Në vendngjarje ndodhej edhe partneri i saj 19-vjeçar, gjithashtu gjerman, i cili kishte dëmtime në fytyrë. Sipas informacioneve të “Cretalive.gr”, pas sulmit qëndron ish-partneri 27-vjeçar i së resë. Të dy kishin qenë në një lidhje për rreth gjashtë vjet, por marrëdhënia e tyre kishte probleme dhe sipas raportimeve, gruaja kishte denoncuar edhe më parë episode dhune. Çifti ishte ndarë në shkurt të këtij viti. Pas ndarjes, 27-vjeçari udhëtoi në Tajlandë për t’u stërvitur në kikboks, ndërsa 25-vjeçarja vazhdoi jetën e saj dhe nisi një lidhje të re.

Më pas, e reja udhëtoi në Kretë për pushime me partnerin e saj 19-vjeçar dhe zgjodhën të qëndronin në një hotel në zonën e Amoudaras. Megjithatë, një detaj nga e kaluara rezultoi vendimtar. 25-vjeçarja dhe ish-partneri i saj përdornin të njëjtën llogari email-i, gjë që i mundësoi 27-vjeçarit të mësonte për një porosi ushqimi të bërë online nga e reja. Në porosi ishte shënuar adresa e hotelit dhe numri i suitës ku ajo po qëndronte.

Sipas raportimeve, sapo mësoi vendndodhjen e ish-partneres, 27-vjeçari mori avionin e parë drejt Kretës. Fillimisht kishte planifikuar të qëndronte për katër ditë në një akomodim të tipit Airbnb, por ngjarjet morën një tjetër rrjedhë. Pasi gjeti hotelin dhe suitën me numër 604, ai dyshohet se hyri në ambientet e hotelit duke kapërcyer gardhin pranë pishinës. Partneri 19-vjeçar i 25-vjeçares u përpoq ta ndalonte, por, sipas denoncimeve, 27-vjeçari, i stërvitur në kikboks, e goditi dhe e rrëzoi në tokë.

Kur 19-vjeçari erdhi në vete, thuhet se dëgjoi britmat e partneres së tij dhe pa ish-të dashurin e saj duke e sulmuar. Ai u përpoq të ndërhynte për t’a ndihmuar, duke u përfshirë në një përleshje të re me 27-vjeçarin. Pas sulmit, 27-vjeçari arriti fillimisht të largohej nga vendi i ngjarjes, ndërsa në zonë ishin mbledhur persona të shumtë. Megjithatë, efektivët e Policisë së Malevizit, duke shfrytëzuar informacionet e siguruara gjatë hetimeve, arritën ta lokalizonin dhe t’a arrestonin rreth një orë më vonë.

Sipas mediave greke, ai u gjet me një valixhe në dorë dhe dyshohet se po përgatitej të largohej nga zona. 27-vjeçari gjerman përballet me akuza të rënda penale dhe ka marrë afat për t’u paraqitur të martën para hetuesit të Heraklionit. Nga ana e tij, i dyshuari pretendon se nuk kishte ndërmend të lëndonte ish-partneren. Sipas deklarimeve të tij, ai udhëtoi drejt Kretës vetëm për të biseduar me të, pasi, siç pohon, lidhja e tyre kishte përfunduar përmes një email-i dhe nuk kishin pasur kurrë mundësinë të sqaroheshin ballë për ballë.

27-vjeçari pranon se gaboi duke hyrë në ambientet e hotelit pasi kapërceu gardhin pranë pishinës, por këmbëngul se qëllimi i tij ishte vetëm t’i afrohej ish-partneres. Ai pretendon gjithashtu se 25-vjeçarja rrëshqiti në zonën e pishinës dhe se të dy ranë në tokë, duke mohuar akuzat se e kishte goditur me shqelma. Ngjarja vijon të hetohet nga autoritetet greke, ndërsa gjendja shëndetësore e 25-vjeçares mbetet nën mbikëqyrjen e mjekëve.