Aktualitet

27 vjeçari i arrestuar për vjedhje bie në koma, policia: Po hetojmë shkaqet

Jani Rustemaj, 27-vjeçari i arrestuar për vjedhje ndodhet aktualisht në gjendje kome, por nuk u raportua nga ana e policisë. Për këtë, e ëma e tij ngriti dyshimin se kjo gjendje e të birit vjen si pasojë e pakujdesisë nga ana e rendit. Sipas saj, i biri nuk ka pasur asnjë problematikë dhe dyshimet shtohen edhe pasi ngjarja u fsheh nga blutë e Tiranës. Rasti u bë publik nga organizata CLE dhe më pas erdhi edhe reagimi nga ana e Policisë e cila sqaron se po heton shkaqet.

Në njoftimin nga ana e policisë listohen ditët kur Jani Rustemaj është dërguar për ndihmë mjekësore.

I riu u arrestua më 12 prill, por dy ditë më pas ai filloi të shfaqte probleme shëndetësore dhe mori ndihmë mjekësore.

Më datë 15 prill, Jani Rustemaj është shoqëruar në gjykatë ku është njohur me masën e sigurisë “Arrest me burg”.

Ditën tjetër, Jani Rustemaj shfaqi sërish shqetësime, por Burgu 313 nuk e mori përsipër sepse kishte mbingarkesë dhe ai u mbajt në burgun e sigurisë. Më pas më datë 17, 27-vjeçari është shoqëruar në QSUT.

E ëma e të riut kallëzoi në polici në fund të prillit, pasi i biri përfundoi në gjendje kome. Mamaja ka ngritur dyshimet e saj për policinë e Tiranës pas arrestimit të djalit të saj.

Nëna e 27-vjeçarit që u arrestua për vjedhje e përfundoi në koma: U fut në burg për një tapet e një palë atlete! E dija që pinte hashash

Nëna e Jani Rustemajt, të riut që ndodhet në QSUT në gjendje të rëndë ishte e para që ngriti dyshime mbi sjelljen e dhunshme të policisë ndaj djalit të saj. Në një intervistë për ‘Uniko’ foli me lot në sy duke thënë se djalin po e rrihnin dhe e kishin arrestuar për vjedhjen e një tapeti dhe një palë atelete. Po ashtu konfirmon se i biri ishte përdorues i lëndëve narkotike dhe nga spitali i kishin thënë se i kanë dhënë metadon, ilaç kundër varësisë.

“Pasi u kap, i shkova njëherë në burg. E arrestuan për vjedhje, kishte marrë një tapet e një palë atlete.

Më thanë ke djalin sëmurë. Nuk ma thanë pse, ai nuk kishte asnjë problem. Kam shkuar dhe kam pyetur te spitali i burgjeve, pyeta se ku e kam djalin. Shkova atje, nuk ishte i shtruar aty, erdha në shtëpi.

Pas disa ditëve, më erdhi policia në shtëpi, më thanë shko në spital se ke çunin me ftohje. Djali ishte shumë keq, doktori tha nuk kam shpresa. Ai ishte shumë mirë, i çoja paketa. Nuk e di, ishte shumë mirë. Doktori më tha i kanë dhënë shumë metadon. Ai pinte hashash, e dija që pinte, jo shumë, ishte për bukuri”, tha nëna e tij.