Sot shënohet 27-vjetori i nisjes së bombardimeve të NATO-s mbi objektivat ushtarake dhe policore serbe në ish-Jugosllavi, për të ndalur dhunën e forcave serbe kundër shqiptarëve në Kosovë.
Bombardimet nisën më 24 mars 1999 e zgjatën 78 ditë ndërsa filluan pas përpjekjeve të dështuara të komunitetit ndërkombëtar për ta bindur ish-liderin serb, Sllobodan Millosheviç për një armëpushim.
Nëse presidenti [jugosllav Sllobodan] Millosheviç nuk është i gatshëm të bëjë paqe, ne jemi të gatshëm t’i kufizojmë aftësitë e tij për të bërë luftë kundër kosovarëve, pati deklaruar presidenti i atëhershëm amerikan, Bill Clinton.
Më pas, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Javier Solana, autorizoi sulmet ajrore në atë kohë. Kjo fushatë përbënte herën e parë që Aleanca përdorte forcën ushtarake pa miratimin e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.
Fushata përfshiu rreth 1 mijë avionë që operuan nga bazat ajrore në Itali e Gjermani, si dhe aeroplanmbajtësen e vendosur në Detin Adriatik, USS Theodore Roosevelt. Avionët kryen mbi 38 mijë fluturime, përfshirë 10 mijë e 484 sulmuese, pa asnjë fatalitet në mesin e aleatëve.
Gjatë fushatës ajrore, shkatërrime apo dëme të rënda pësuan kazerma dhe njësi ushtarake në Serbi, Malin e Zi e Kosovë, ashtu si edhe sisteme të komandës e kontrollit, sisteme të mbrojtjes ajrore, infrastruktura të energjisë dhe komunikimit, etj.
Në përmbyllje të fushatës, presidenti Clinton pati thënë:
Kërkesat e komunitetit ndërkombëtar janë përmbushur, përfshirë: tërheqjen e forcave serbe nga Kosova, vendosjen e një force të sigurisë të udhëhequr nga NATO-ja dhe kthimin e kosovarëve në shtëpitë e tyre. Mund t’i raportoj popullit amerikan se kemi shënuar fitore, për një botë më të sigurt, për vlerat tona demokratike dhe për një Amerikë më të fortë.
Bombardimet u ndalën një ditë pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Kumanovës. Me këtë akord, të negociuar ndërmjet NATO-s dhe zyrtarëve ushtarakë jugosllavë, forcat jugosllave u tërhoqën nga Kosova dhe u krijua forca paqeruajtëse ndërkombëtare, e udhëhequr nga NATO.
Beogradi kishte 11 ditë kohë për t’i zhvendosur 40 mijë forcat e tij të sigurisë jashtë Kosovës. KFOR-i, misioni paqeruajtës i udhëhequr nga NATO-ja, filloi dislokimin më 12 qershor, 1999. Fillimisht përbëhej nga rreth 50.000 trupa, për të arritur në 4.767 trupa sot, nga 33 vende të botës.
Lufta përfundoi me rreth 13 mijë njerëz të vrarë; me mijëra të zhdukur, mbi 1.600 prej të cilëve mbeten të pagjetur. Po ashtu, me qindra mijëra refugjatë, shumica e të cilëve u kthyen dhe me mijëra prona të dëmtuara ose të shkatërruara.