“Rusia po luan me Trump-in dhe me të gjithë botën. Putin mendon se është bindës e se mund t’i besohet atij”, deklaroi presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky.
Ai është një aktor i tmerrshëm, theksoi Zelensky në një intervistë për Financial Times. Nuk është largpamësi të besosh se lufta do të përfundojë me tërheqjen e Ukrainës nga Donbasi sepse Moskës nuk mund t’i besohet. Ka më shumë presion mbi Kievin se ndaj Moskës në lidhje me lëshimet territoriale.
Në një tjetër intervistë, për CNN-in, Zelensky i kërkoi presidentit amerikan të “qëndrojë në anën e Ukrainës”.
Sot mbushen 4 vjet nga pushtimi rus i Ukrainës. Pasi Moska dështoi të pushtonte kryeqytetin ukrainas Kiev e të instalonte një qeveri kukull në shkurt 2022, konflikti u shndërrua në luftë llogore me kosto të jashtëzakonshme. Sipas disa vlerësimeve, gati dy milion ushtarë kanë vdekur, janë plagosur ose zhdukur nga të dyja palët në konfliktin më shkatërrues të Evropës që nga Lufta e Dytë Botërore.
Rusia ka pushtuar rreth 20% të territorit ukrainas që nga aneksimi i paligjshëm i Krimesë në 2014, por fitimet e saj pas pushtimit të 24 shkurtit 2022 kanë qenë të ngadalta.
Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, këtë muaj e krahasoi përparimin e Moskës me “shpejtësinë e një kërmilli”. Trupat ruse janë zhvendosur vetëm rreth 40 kilometra në rajonin e Donetskut në Ukrainën lindore, në dy vitet e fundit në një betejë të ashpër për kontrollin e disa fortesave.
Pavarësisht ritmit të ngadaltë dhe kostos së lartë, presidenti Vladimir Putin ka mbajtur kërkesat e tij maksimaliste në bisedimet e paqes të ndërmjetësuara nga SHBA-të, duke thënë se “Kievi duhet të tërheqë forcat e tij nga katër rajonet ukrainase që Moska i aneksoi në mënyrë të paligjshme”, por që nuk i pushtoi kurrë plotësisht. Ai e ka shfaqur vazhdimisht arsenalin bërthamor për të parandaluar Perëndimin nga rritja e mbështetjes ushtarake për Kievin.
Për herë të parë në historinë ushtarake, dronët po luajnë një rol vendimtar, duke e bërë praktikisht të pamundur për secilën palë që të grumbullojë fshehurazi një numër të konsiderueshëm trupash.
Ukraina dhe aleatët akuzojnë Putinin se po i zvarrit bisedimet ndërsa ai pushton më shumë territor. Kremlini akuzon Kievin dhe mbështetësit e tij evropianë se po përpiqen të minojnë një marrëveshje paraprake të arritur nga Trump dhe Putin në samitin e tyre të Alaskës.