Toni Gogu ka deklaruar se regjimi i ashpër në burgje do të aplikohet në rastet kur të dënuarit përfshihen në aktivitete kriminale brenda institucioneve të vuajtjes së dënimit.
Gjatë një konference për shtyp, ministri u shpreh se masa do të merret rast pas rasti, duke theksuar se autoritetet nuk do të hezitojnë të veprojnë nëse të burgosurit kontribuojnë në fuqizimin e strukturave kriminale brenda burgjeve.
Ai theksoi se ky regjim është parashikuar me ligj dhe do të zbatohet kur të identifikohen raste konkrete të shkeljeve të rënda brenda institucioneve penitenciare.
Toni Gogu foli gjithashtu për situatën në sistemin gjyqësor, duke i lidhur vonesat me vakancat e krijuara nga reforma në drejtësi dhe procesi i rivlerësimit të magjistratëve.
Sipas tij, këto vonesa janë sistemike dhe po adresohen përmes masave ligjore, rritjes së burimeve njerëzore dhe përmirësimit të infrastrukturës gjyqësore. Ai theksoi se qeveria po punon për krijimin e një “pole të ri drejtësie” në Tiranë, që synon përqendrimin dhe modernizimin e institucioneve gjyqësore.
Ministri shtoi se, sipas vlerësimeve të deritanishme, vonesat në sistem nuk janë rritur, por kanë tendencë të ulen me plotësimin gradual të vakancave në sistemin e drejtësisë.