Një studim i ri tregon se edhe ndryshimet më të vogla në dietë, aktivitet fizik dhe gjumë, kur bëhen së bashku, mund të shtojnë jetën deri në një vit.
Ndërsa përmirësimet më të mëdha dhe të qëndrueshme në këto tre fusha mund të shtojnë mbi 9 vite jetë, duke përmirësuar ndjeshëm edhe cilësinë e saj.
Hulumtimi, i publikuar në revistën “eClinicalMedicine”, u udhëhoq nga studiuesi australian Nick Koemel dhe analizoi të dhëna nga rreth 60,000 pjesëmarrës të UK Biobank.
Rezultatet tregojnë se për njerëzit me zakone jo të shëndetshme, shtimi i vetëm 5 minutave gjumë, 2 minutave aktivitet fizik dhe gjysmë filxhani perime në ditë mund të sjellë përfitime të dukshme në jetëgjatësi.
Megjithatë, autorët theksojnë se këto shifra janë teorike dhe nuk tregojnë një lidhje të drejtpërdrejtë shkak–pasojë, ndërsa ekspertët paralajmërojnë se interpretimi i rezultateve duhet bërë me kujdes.
Përfitimi më i madh u pa tek ata që kombinuan 42–103 minuta aktivitet fizik në ditë, 7–8 orë gjumë dhe një dietë të pasur me fruta, perime, drithëra integrale dhe peshk, duke shtuar mbi 9 vite jetë dhe po aq vite pa sëmundje kronike.
Sipas kardiologut parandalues Dr. Andrew Freeman, ushtrimi fizik është “eliksiri i rinisë”, dhe rekomandohet 20–30 minuta aktivitet të moderuar çdo ditë, duke përfshirë kardio dhe forcë.
Mesazhi kryesor është se nuk ka rëndësi të jeni perfekt në çdo fushë, por zakonet e vogla të përditshme, të qëndrueshme dhe të orientuara drejt shëndetit, mund të ndryshojnë rrjedhën e jetës tuaj për mirë.