Food & Drink Health & Beauty Lifestyle

E anashkaloni mëngjesin? Çfarë i ndodh trupit orë pas ore?

Shumë njerëz e nisin ditën vetëm me një kafe, duke e shtyrë vaktin e parë për më vonë. Për disa, kjo është pjesë e një rutine ose e agjërimit të ndërprerë, por për të tjerë ndodh thjesht për shkak të mungesës së kohës.

Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë se anashkalimi i vazhdueshëm i mëngjesit mund të ndikojë në mënyrën se si organizmi rregullon sheqerin në gjak, urinë dhe metabolizmin.

Edhe pse trupi arrin ta kompensojë për një kohë këtë mungesë, pasojat mund të shfaqen më vonë gjatë ditës, me rritje të glukozës në gjak, uri më të fortë dhe vështirësi në kontrollin e insulinës. Këto efekte janë veçanërisht të theksuara te personat me probleme metabolike, si paradiabeti, diabeti i tipit 2 ose sindroma e vezoreve policistike.

Mëngjesi shënon fundin e agjërimit gjatë natës. Kur ai anashkalohet, organizmi zgjat periudhën pa ushqim dhe shtyn lirimin e parë të insulinës.

Për të mbajtur nivelin e glukozës brenda kufijve normalë, pankreasi çliron hormonin glukagon, i cili sinjalizon mëlçinë të lëshojë rezervat e glukozës.

Kur njerëzit e anashkalojnë rregullisht mëngjesin, sheqeri në gjak zakonisht mbetet brenda kufijve normalë, por trupi mundohet më shumë për ta mbajtur atë

-shpjegon dr. Reka Kumar, specialiste e endokrinologjisë dhe metabolizmit për revistën Health.

Sipas dietologes Kelly Candela, periudhat më të gjata pa ushqim rrisin nivelin e acideve yndyrore të lira në gjak.

Me kalimin e kohës, nivelet më të larta të këtyre acideve yndyrore mund të kontribuojnë në rezistencë ndaj insulinës, që do të thotë se qelizat nuk reagojnë më siç duhet ndaj saj.

Glukoza është burimi kryesor i energjisë për trurin. Kur organizmi qëndron për orë të tëra pa ushqim, disa njerëz mund të ndiejnë lodhje, mjegullim mendor, nervozizëm, vështirësi në përqendrim apo edhe dhimbje koke.

Dr. Jillian Goddard, endokrinologe dhe profesoreshë në Fakultetin e Mjekësisë Grossman të Universitetit të Nju-Jorkut, shpjegon se në mungesë të glukozës trupi fillon të prodhojë ketone.

Por, ketonet gjithashtu mund të kontribuojnë në atë ndjesinë e mjegullimit mendor.

Pse sheqeri në gjak rritet më shumë pas drekës?

Studimet tregojnë se kur mëngjesi anashkalohet, organizmi e ka më të vështirë të përpunojë glukozën në vaktin e radhës.

Kur më në fund hahet dreka, trupi mund të ketë vështirësi ta menaxhojë në mënyrë efikase glukozën. Hulumtimet tregojnë se edhe pas një anashkalimi të vetëm të mëngjesit, personat e shëndetshëm mund të përjetojnë rritje të sheqerit në gjak 40 deri në 50 për qind më të madhe pas drekës, krahasuar me ditët kur kanë ngrënë mëngjes

-thotë Candela.

Rritet uria dhe rreziku për shtim në peshë?

Një tjetër pasojë është uria më e fortë gjatë ditës, e cila shpesh çon në konsum më të madh kalorish.

Vakti i parë pas një periudhe të gjatë pa ushqim zakonisht shkakton rritje më të madhe të sheqerit në gjak dhe përgjigje më të fortë të insulinës, gjë që gjithashtu mund të nxisë uri dhe dëshirë për ushqim

-thotë dr. Kumar.

Me kalimin e kohës, ky cikël mund të favorizojë shtimin në peshë.

Ekspertët theksojnë se metabolizmi ndjek ritmin cirkadian të trupit.

Nivelet e glukozës esëll janë më të larta në mëngjes dhe bien gjatë ditës, duke arritur nivelet më të ulëta nga mesi i pasdites

-shpjegon dr. Goddard.

Ndërsa Candela shton:

Trupi zakonisht është më i ndjeshëm ndaj insulinës më herët gjatë ditës, që do të thotë se mund ta përpunojë glukozën në mënyrë më efikase. Anashkalimi i mëngjesit mund të veprojë kundër këtij ritmi të lindur. Mëngjesi, ose vakti i parë i ditës, mund të jetë një mjet i fuqishëm për stabilitetin e sheqerit në gjak dhe për shëndetin e përgjithshëm metabolik. Edhe nëse praktikoni agjërim të ndërprerë, përshtatja e dritares së ushqimit me ritmet natyrore të trupit mund t’i maksimizojë përfitimet dhe njëkohësisht ta minimizojë stresin mbi organizmin.

Kush preket më shumë?

Sipas ekspertëve, personat me paradiabet, diabet të tipit 2 ose sindromën e vezoreve policistike janë më të ndjeshëm ndaj këtyre ndryshimeve.

Te këta persona, rritjet e vonuara ose më të mëdha të glukozës më vonë gjatë ditës mund të kontribuojnë në nivele mesatare më të larta të sheqerit në gjak me kalimin e kohës. Për njerëzit me çrregullime metabolike, në përgjithësi rekomandoj mëngjes të rregullt, në të njëjtën kohë çdo ditë. Dëshmitë tregojnë se vakti i mëngjesit ndihmon në përgatitjen e përgjigjes së insulinës, stabilizon glukozën gjatë gjithë ditës dhe ul rritjet pas vakteve

-thekson Candela.

Ndërkohë, dr. Kumar shton se ndryshimet hormonale mund ta përkeqësojnë situatën te gratë.

Te gratë që përballen me perimenopauzë ose me sindromën e vezoreve policistike, këto efekte mund të jenë më të theksuara. Estrogjeni ndikon në ndjeshmërinë ndaj insulinës, prandaj, kur nivelet e tij luhaten ose bien, trupi bëhet më reaktiv ndaj modeleve të glukozës dhe kortizolit.

Si duhet të jetë një mëngjes i shëndetshëm?

Ekspertët rekomandojnë që vakti i parë i ditës të përmbajë rreth 25 gramë proteina, yndyra të shëndetshme, fibra të tretshme dhe karbohidrate me indeks të ulët ose mesatar glikemik. Kombinimi i tyre ndihmon në mbajtjen e një niveli më të qëndrueshëm të sheqerit në gjak, rrit ndjesinë e ngopjes dhe mbështet shëndetin metabolik gjatë gjithë ditës.