Bota

5 të plagosur nga një sulm rus në Harkiv, mes armëpushimit të brishtë Rusi-Ukrainë!

Një dron rus goditi një objekt banimi shumëkatësh në Harkiv, qytetin e dytë më të madh të Ukrainës, duke plagosur të paktën 5 persona, si dhe u sfidua armëpushimi treditor i shpallur për kremtimet e Ditës së Fitores.

Sulmi u shënua pak orë pas përfundimit të paradës vjetore të Rusisë, në Sheshin e Kuq. Dukshëm më i kufizuar krahasuar me vitet e kaluara, eventi u zhvillua mes kërcënimeve të tërthorta nga Ukraina për ta penguar dhe kërcënimeve të hapura e të zemëruara të Moskës, për hakmarrje ndaj Kievit.

Presidenti i Ukrainës publikoi një deklaratë tallëse, se ai po autorizonte mbajtjen e paradës së Kremlinit.

Autoritetet ukrainase thanë se dhjetera dronë rusë u konstatuan mbi Ukrainë gjatë natës. Ndërkaq, zyrtarë rusë raportuan për gati 100 dronë ukrainas mbi rajonin e Kurskut, që kufizohet me Ukrainën. Aleksandr Hinshtejn, guvernator rajonal, tha se nuk ka raportime për të lënduar.

Në Belgorod, tjetër rajon që kufizohet me Ukrainën, të paktën 8 persona u plagosën nga sulmet me dronë ukrainas, sipas guvernatorit rajonal Vjaçesllav Gladkov.

Armëpushimi pritet të përfundojë më 11 maj. Kremlini iu tha gazetarëve se nuk ka diskutime në vazhdim për ta zgjatur.

Nuk ka as plane për rifillimin e bisedimeve të paqes, që Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë shtyrë përpara.

Duke folur dje para gazetarëve, presidenti rus, Vladimir Putin, tha se mendon që lufta në Ukrainë po i afrohet fundit dhe sinjalizoi se dëshiron të negociojë marrëveshje të reja sigurie për Europën.

Bisedimet e paqes të ndërmjetësuara nga SHBA-të për t’i dhënë fund luftës së plotë e që tashmë është në vitin e saj të pestë, pjesërisht kanë ngecur për shkak të kërkesave të ashpra të Rusisë.

Ato përfshijnë tërheqjen e trupave ukrainase nga territoret në rajonin lindor të Donbasit, që i kontrollojnë ende.