Në çdo episod të “Top Tech” me Mateo Kadriun zbulojmë të rejat më të fundit nga bota e madhe e teknologjisë. Me informacione dhe gjithçka të detajuar rreth risive dhe mundësive që po na ofrohen çdo ditë sidomos nga Inteligjenca Artificiale me avancimin e projekteve nga më të ndryshme.
E keni vënë re që Apple nuk bën më zhurmë kur nxjerr produkte… por produktet bëjnë më shumë zhurmë se kurrë? Ironike. Sepse tani ka lançuar kufjet që bëjnë pikërisht të kundërtën: të heqin gjithë zhurmën nga jeta.
Quhen AirPods Max 2, dhe po, kushtojnë 549 dollarë—pra afërsisht sa një fundjavë “në Lago di Como”.
Lajmi kryesor? Apple ka përmirësuar gjithçka që kishte rëndësi: anulimi i zhurmës është 1.5 herë më i fortë, cilësia e audios më e pastër, dhe kufjet tani janë aq “smart” sa përshtaten vetë me ambientin. Pra nëse je në rrugë, ato thonë “po mbajmë pak transparencë”, nëse je në autobus… thonë “jo, jo, këta njerëz nuk kam pse i degjoj.”
Dhe prit—ka edhe përkthim live. Pra teorikisht mund të flasësh me dikë në një gjuhë tjetër dhe kufjet bëjnë “Google Translate premium edition” direkt në vesh. Në praktikë? Ende do bësh atë buzëqeshjen awkward dhe do thuash “yes yes” pa e kuptuar gjysmën.
Brenda ka çipin H2, Spatial Audio më të avancuar, dhe një mikrofon që të bën të tingëllosh si podcaster profesionist—edhe kur je në pizhamet e tua duke folur nga divani.
Madje mund të bësh foto duke shtypur një buton në kufje. Pra po, tani edhe selfie-t kanë nevojë për aksesorë 549 dollarë. Evolucioni është real.
Por e vërteta? Këto nuk janë thjesht kufje. Janë një “bubble” personal. Një mënyrë për të dalë nga realiteti pa lëvizur nga vendi.
Pyetja është: a i blejmë për muzikën… apo për të mos dëgjuar njerëzit përreth?