Aktualitet

58 persona shkelën ndalesën për të lëvizur me makinat private

Në Durrës, Fier dhe Vlorë janë 58 persona që shkelën ndalesën për të lëvizur me makinat private në kuadër të masave të Qeverisë për të kufizuar përhapjen e koronavirusit. Për nga numri i lartë kryeson Durrësi, me 32 shkelës, i ndjekur nga Fieri me 20 e Vlora me 6. Të gjithë drejtuesit që nuk kishin autorizim u shoqëruan në komisariate e pritet të sanksionohen. Prej orës 6 të mëngjesit e deri të djelën në mesnatë, në Tiranë, Durrës, Elbasan, Shkodër, Lezhë, Lushnje, Fier dhe Vlorë lejohet vetëm lëvizja e autoambulancave, makinave që kryejnë funksione shërbimi shtetëror, atyre që transportojnë mallra, si dhe automjeteve të autorizuara pasi kanë justifikuar arsyet e qarkullimit.

Kreu i Qarkullimit Rrugor, Erjon Ahmeti bëri të ditur sot se shërbimet policore gjenden në terren, të pranishme në çdo rrugë kryesore. Sipas tij,  pjesa më e madhe e drejtuesve ka autorizim, ndërsa për një pjesë të vogël, që nuk rezulton të ketë patur urgjenca u bë shoqërimi dhe gjobitja. Në Tiranë janë 15 pika kontrolli.

Ndërsa në një masë të madhe, në vendin tonë po respektohet masa e ndalesës së automjeteve private, reagoi dhe kryeministri Rama.“Super start i kësaj dite të parë në mbrojtje të vetes, familjes dhe njëri-tjetrit në një luftë të paparë nervash, ku të vetmet armë që kemi janë mirëkuptimi, solidariteti dhe durimi, durimi, durimi”, – shkruan Rama në një postim në rrjetet sociale.