Aktualitet

Përkeqësohen kushtet hidrometeorologjike në Vlorë, njoftohen masat!

Për shkak të përkeqësimit të kushteve hidrometeorologjike detare, nga ora 14:00 e datës 24 korrik deri në orën 06:00 të datës 25 korrik 2026 është ndaluar pajisja me leje-nisje për mjetet e vogla lundruese dhe ato të peshkimit që do të operonin jashtë Gjirit të Vlorës, në det të hapur dhe në zonën Dhërmi–Himarë.

Sipas njoftimit, gjatë kësaj periudhe priten erëra me drejtim veri–veriperëndim me forcë 6–7 ballë (15–25 m/s), ndërsa lartësia e dallgëve do të arrijë nga 1.50 deri në 3.50 metra, duke krijuar kushte të pafavorshme për lundrim.

Autoritetet u bëjnë thirrje mjeteve të vogla lundruese dhe atyre të peshkimit që operojnë brenda Gjirit të Vlorës të tregojnë kujdes të shtuar gjatë lundrimit dhe të marrin në konsideratë kushtet e përkeqësuara të motit.

LEXO EDHE: Bashkia Vlorë apel qytetarëve: Kujdes nga stuhitë dhe erërat e forta ditën e premte

Gjithashtu, subjektet dhe institucionet që ushtrojnë aktivitet në fushën e detarisë janë kërkuar të marrin masat e nevojshme parandaluese, duke siguruar mjetet lundruese në port dhe duke rritur gatishmërinë e ekuipazheve.

Ndërkohë, anijet e transportit ndërkombëtar detar do të vijojnë operimin normal sipas destinacioneve përkatëse.

LEXO EDHE: Betonieres nuk i mbajtën frenat? Pista kryesore e hetimit për aksidentin me dy të vdekur dhe një të plagosur në Tiranë…

Sipas parashikimeve, përmirësimi i kushteve hidrometeorologjike për mjetet e vogla lundruese dhe të peshkimit pritet pas orës 06:00 të datës 25 korrik 2026.