Aktualitet

Tensione para Parlamentit/ Makinat e deputetëve largohen nga Kuvendi, protestuesit godasin me vezë. Të tjera shoqërime!

Makinat e deputetëve kanë lënë Kuvendin, ndërsa menjëherë protestuesit kanë gjuajtur me vezë.  Ndërkohë policia ka ndërhyrë për të shpërndarë qytetarët. Disa protestues janë shoqëruar sërish nga policia. Një pjesë e deputetëve dolën nga pjesa e pasme e Parlamentit, ku makinat i prisnin te Ministria e Brendshme, më pas nisën tensionet me një nga efektivët e policisë. Forcat Shqiponja u afruan për të shoqëruar protestuesit, por u tërhoqën. Nuk dihet se kush ishte deputeti brenda automjetit, shoqërimet u bënë pas goditjes me vezë. Mendohet se deputetët janë larguar.

Protesta ka nisur që prej orës 08:30 të ditës së sotme ndërsa në orën 10:00 nisi edhe seanca plenare. Gjatë ditës ka pasur përplasje e tensione.

Ndërkohë Seanca plenare e Kuvendit e kësaj të enjteje, 23 korrik, u mbyll mes tensionesh të forta, debatesh dhe përplasjesh mes opozitës dhe mazhorancës.
Deputetët e opozitës bllokuan për disa orë foltoren e Kuvendit, duke penguar zhvillimin normal të diskutimeve. Për shkak të situatës, mazhoranca vijoi me votimin e pikave të rendit të ditës pa diskutime, duke miratuar me procedurë të përshpejtuar të 31 çështjet e parashikuara.

Mes tyre ishin rezolutat për raportimet e institucioneve të pavarura, përfshirë SPAK, Prokurorinë e Përgjithshme, Avokatin e Popullit, KLP dhe KLGJ, disa projektligje e amendamente, si dhe emërime të anëtarëve të komisioneve të prokurimit.