Rajoni

Serbia heq ndalimin e hyrjes për aktivistin anti-Putin, Nikitin!

Dy ditë pasi iu ndalua hyrja në Serbi, vendi ballkanik ndryshoi qëndrim dhe vendosi që të lejojë aktivistin rus kundër luftës, Pjotër Nikitin që të hyjë në territorin e shtetit serb. Kjo bëhet e ditur në një postim në profilin e Nikitinit në Facebook. Ndërkaq, asnjë arsye zyrtare nuk u dha nga Beogradi as për ndalimin e hyrjes dhe as për heqjen e këtij ndalimi.

Kritiku i njohur i presidentit rus Vladimir Putin, i cili themeloi platformën kundër luftës, “Shoqëria Demokratike Ruse” ka organizuar disa protesta në Serbi kundër pushtimit rus të Ukrainës, që vijon prej shkurtit të vitit të kaluar.

Nikitinit iu refuzua hyrja në aeroportin e Beogradit të enjten e 13 korrikut kur u ndal atje pas një pushimi në Portugali. Vendimin e Policisë Kufitare serbe, ai e ka publikuar online.

Kritiku i Kremlinit ka shtatë vjet që jeton në Serbi me leje qëndrimi të rregullt, si dhe ka dy fëmijë atje.

Nuk ka asnjë shpjegim tjetër për sjelljen e Policisë Kufitare, përveç aktiviteteve të mia kundër luftës ruse në Ukrainë, në kuadrin e Shoqërisë Demokratike Ruse.

Sipas raportimeve të mediave serbe, urdhri për ndalimin e hyrjes është dhënë nga Agjencia e Brendshme e Shërbimit Sekret Serb, BIA, në krye të së cilës qëndron Aleksandar Vulin. Prej pak ditësh, pro-rusi Vulin i është shtuar listës së sanksioneve amerikane. Në njoftimin zyrtar thuhej:

Vulin abuzoi me pozitën e tij në pushtet, për të mbështetur Rusinë në destabilizimin e vendeve të Ballkanit.

Ndërkaq, ai konsiderohet si një ndjekësit më besnikë të presidentit të Serbisë, Aleksander Vuçiç, i cili ka vazhduar të mbajë marrëdhënie të mira me Moskën pavarësisht nga fillimi i luftës së saj kundër Ukrainës.

Për t’iu bashkuar Unionit, Serbia po negocion me Bashkimin Europian që nga viti 2014. Shteti ballkanik nuk i mbështet sanksionet e BE-së të vendosura kundër Rusisë.