Aktualitet

8 marsi, Presidenti Begaj: Gratë shqiptare forca e vërtetë e jetës sonë

Presidenti Bajram Begaj, uroi sot të gjitha gratë shqiptare me rastin e 8 Marsit, duke i cilësuar ato forcën e vërtetë të jetës së shoqërisë sonë.

Përmes një mesazhi në profilin e tij zyrtar në rrjetet sociale, Begaj përcolli urimin bashkë me foto të takimeve të tij me zonja gjatë vizitave nëpër Shqipëri apo në pritjet e zhvilluara në Institucionin e Presidentit.

“Bekuar qofshin gratë shqiptare, forca e vërtetë e jetës sonë!”, shkroi Bajram Begaj.

LEXO EDHE: 8 Marsi/ Presidenti i Gjermanisë, Steinmeier: Kemi bërë hapa pas në barazinë gjinore

Dita Ndërkombëtare e Gruas, ditë e cila shërben jo vetëm për bashkimin e grave pa dallim feje, race, kulture, gjuhe dhe prejardhjeje, por edhe për të kujtuar përpjekjet për barazi, paqe, drejtësi dhe ndërtim për disa dekada.

Në ditën e gruas politika bashkohet në një thirrje, më shumë mundësi, investime dhe përkrahje për gratë e vajzat, si i vetmi mekanizëm për të shoqëri të shëndoshë. Vlerësohen gratë në role kyçe për vendin, protestohet kundër dhunës.

Në shumë vende të botës kjo ditë kujtohet si festë e protestë, si një traditë që ka nisur që nga fillimi i shekullit të 20-të. Historia dhe kuptimi i një përvjetori të themeluar në vitin 1921, që na fton të reflektojmë për rolin e femrës në shoqëri dhe për çështjet kritike që ende ekzistojnë.

Fillimisht, 8 marsi u shënua në Shtetet e Bashkuara, ndërsa sot protestohet dhe festohet në shumë vende të botës! Ndërsa shumë njerëz e mendojnë si një çështje feministë, rrënjët e saj qëndrojnë në lëvizjen punëtore.

Dita Ndërkombëtare e Grave nisi nga lëvizja e punës për t’u bërë një ngjarje vjetore e njohur nga Kombet e Bashkuara. Gjithçka nisi në vitin 1908, kur 15,000 gra marshuan nëpër qytetin e Nju Jorkut duke kërkuar orë më të shkurtër pune, paga më të mira dhe të drejtën e votës. Ishte Partia Socialiste e Amerikës që shpalli Ditën e Parë Kombëtare të Gruas, një vit më vonë. Ideja për ta bërë ditën ndërkombëtare erdhi nga një grua e quajtur Clara Zetkin. Ajo sugjeroi idenë në vitin 1910 në një Konferencë Ndërkombëtare të Grave Punëtore në Kopenhagë. Kishte 100 gra, nga 17 vende, dhe ata ranë dakord për sugjerimin e saj njëzëri. Ajo u festua për herë të parë në 1911, në Austri, Danimarkë, Gjermani dhe Zvicër.