Sot në seancë plenare, Kuvendi i Shqipërisë rrëzoi me 82 vota kërkesën e SPAK-ut lidhur me dhënien e autorizimit për arrestimin e deputetes socialiste, Belinda Balluku.

Pas votimit, opozita mbajti të bllokuar foltoren e më herët, deputetë demokratë goditën tavolinat në sallën e Kuvendit të Shqipërisë.

Seanca zgjati rreth 90 minuta dhe u mbyll në orën 11:25.
Belinda Balluku, e cila nuk ishte në seancë, është në hetim në kuadër të procedimit penal nr. 136 të vitit 2025, ku është marrë si e pandehur dhe person nën hetim, për shkak se dyshohet se ka kryer, në mënyrë të përsëritur, veprën penale: “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, kryer bashkëpunim, parashikuar nga nenet 258/2 e 25 të K.Penal.
Në mbyllje të seancës që nisi me prezantimet e raporteve me qëndrime të ndara të PD-së (nga Oerd Bylykbashi) e PS-së (nga Ulsi Manja), respektivisht pro dhe kundër heqjes së imunitetit, jashtë parlamentit pati momente tensioni, kur protestues të opozitës tentuan të heqin barrierat metalike dhe u përplasën me policinë. Atyre iu drejtua me një fjalim kryetari i PD-së, Sali Berisha.