Aktualitet Politikë

Kuvendi në seancë, debate mbi deklaratën e ministres serbe për Kosovën!

Partia Socialiste propozoi që me procedurë të përshpejtuar, të kalojë një projektligj ku në thelb qëndron pezullimi i të gjitha punimeve në bregdet në sezonin e verës. Sot në Kuvend, kryetari i grupit parlamentar, Taulant Balla deklaroi:

Kemi propozuar që në pr.ligjin për Turizmin, të pezullohen punimet e ndërtimit gjatë kohës së sezonit turistik, duke garantuar cilësi më të lartë të ofertës turistike në vendin tonë.

Pjesa tjetër ka të bëjë me regjistrin elektronik të turistëve. Të ketë një sistem të regjistrimit të personave që akomodohen në atë strukturë hoteliere.

Ndërsa opozita vijon bojkotin deri në plotësimin e kërkesave të protestuesve, në sallë, deputeti i Lëvizjes Bashkë, Redi Muçi ngriti çështjen e deklaratës së ministres serbe, Snezhana Paunoviç për spastrimin etnik të Kosovës.

Muçi pyeti se cila është arsyeja që Paunoviç nuk është shpallur “non grata” nga Shqipëria, ashtu siç veproi Kosova.

Çfarë pret qeveria shqiptare dhe kryeministri për të reaguar ndaj deklaratës së ministres serbe Paunoviç për spastrimin etnik të Kosovës dhe mbështetjes që i dha zv/kryeministri serb? Kosova e ka shpallur non grata ministren.

Ky që merret me armiqtë e popullit, si ka mundësi që nuk mban qëndrim? Ndoshta sepse bashkë me mikun e tij, Vuçiç, i ka zënë i njëjti hall: fakti që rinia i përçmon.

Përgjigjen ia dha Taulant Balla, i cili i tha se reagimi ishte i menjëhershëm, në të gjitha nivelet e nevojshme. Balla u shpreh se qeveria “nuk tallet me çështjet kombëtare”.

Sa i përket një deklarate jo vetëm të papërgjegjshme, por indinjuese dhe të rëndë, reagimi i qeverisë shqiptare ka qenë në kohë, adekuat nga Ministria e Jashtme. Këto janë çështje që nuk adresohen me karagjozllëk diletantësh politikë, të një kadeti të ri në Kuvend. Nuk tallemi me çështjet kombëtare, s’jemi karagjozë si puna jote.

Balla shtoi:

Sa i përket Edi Ramës, ti dhe shokët e tu duhet të lani gojën mirë, se është i vetmi kryeministër që nga 1912-ta, që ka ngritur çështjen e Kosovës.

Reagoi deputeti i partisë Mundësia, Erald Kapri, i cili kryeministrin e krahasoi me diktatorin Enver Hoxha, duke deklaruar se ka heshtur për Kosovën.

Ashtu si Rama, edhe Enver Hoxha, hapi kufijtë me ish-Jugosllavinë, bënë “Ballkan të Hapur”, bënë edhe njësi monedhe. Ashtu si Rama, edhe Hoxha heshte për Kosovën, pavarësisht ç’ndodhte atje.

Haradinaj ka thënë publikisht se Rama i ka kërkuar të pranojnë ndarjen e Kosovës.

Sa për përrallat e çështjes kombëtare ka fakte. “Ballkani i Hapur” ishte projekti i Enver Hoxhës. Ku e gjen guximin ish-ministrja serbe që edhe pas 25 vitesh të fyejë rëndë shqiptarët e Kosovës, sepse e di që ka një aleat në Tiranë që hesht.