Aktualitet Politikë

Berisha: Protesta deri në grevë urie!

Duke theksuar se “opozita është shpresa e vetme në vend”, Sali Berisha paralajmëroi për diversifikim të protestave deri në grevë urie. Kryetari i Partisë Demokratike, sot zhvilloi një takim me aleatët e Federatës së Opozitës së Bashkuar.

Ne duhet të ngrihemi me të gjithë forcën tonë, si përpjekje e fundit për të rrëzuar këtë narkoshtet. Është faktuar gjithçka. Është faktuar farsa elektorale në mënyrën më përfundimtare. Janë faktuar vjedhjet dhe këto janë vetëm maja e ajsbergut. Janë faktuar lidhjet me drogën. Atëherë, ne duhet të organizojmë format më të vendosura të protestës, të qëndresës, të revoltës.

Sipas Berishës, maxhoranca ka “asgjësuar parlamentin”.

Një qeveri, e cila përgatit zgjedhjet e lira është kushti i të gjitha kushteve për ne. Është thirrur data 22 dhjetor për protestë kombëtare. Protestat tona do të diversifikohen me greva, me greva urie, me të gjitha format, nëse ne përmbushim misionin tonë. Dhe ne jemi të vendosur ta përmbushim.

Berisha vuri në dukje se “me këtë regjim, është jetike protesta e qëndrueshme, revolta e qëndrueshme”. Po ashtu, numri një i PD-së kërkoi angazhimin e të rinjve.

Angazhimi sa më shumë i të rinjve në këtë betejë, të cilën opozita do ta fitojë, shqiptarët do ta fitojnë, u shpreh Berisha. Nër të tjera, shtoi se “opozita është në një mision të vërtetë”.

Në një mision që kërkon sakrifica. Dhe unë jam i bindur se janë qindra dhe mijëra shqiptarë të gatshëm për sakrifica.