Lifestyle

A do të jetë epoka e pandemisë normalja e re apo do të kthehemi siç ishim?!

Ajo çfarë ra më shumë në sy gjatë fillimit të pandemisë ishte ndryshimi i rutinës sonë të përditshme.

Për shembull; gjatë ditëve të izolimit konsumimi i kafes së mëngjesit nuk ishte në lokalin e lagjes por në shtëpi madje edhe tani që kafenetë janë hapur shumë persona vazhdojnë të qëndrojnë në shtëpi duke e pirë kafen në ballkon se sa të qëndrojnë në një ambjent me njerëz.

A nuk është e çuditshme t’i ulemi personit tjetër përballë e jo afër për t’i përshpëritur thashetheme në vesh? Tani, në vend që t’i qerasim njerëzit si zakonisht i sprucojmë pak alkool në duar pasi ku ka më mirë se sa të jesh i mbrojtur e pa baktere.

Në vend të parfumeve mbajmë alkool dhe në xhepin tonë të preferuar të çantës zëvendësuam buzëkuqin me maska dhe doreza.

Dhuratat më të dërguara së fundmi janë maskat e qepura vetë me dizanjo të ndryshme dhe me ngjyra për fëmijët. Mbajtja e distancës ka vënë në vështirësi të gjithë ata që nuk dinë të mbajnë radhë në supermaket dhe ata të cilët duhet patjetër të të qëndrojnë ngjitur teksa pret për të kaluar rrugën.

Respektimi i rregullave anti-Covid u bë një realitet i domosdoshëm por tani që gjendja është qetësuar disi a do të kthehmi në normalitet, apo realiteti i Covid-19 do të jetë normaliteti ynë i ri me të cilin do të duhet të mësohemi?!

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Europën po e përfshin shumë shpejt një valë e dy të Koronavirusit dhe masat priten të bëhen akoma më strikte.

Megjithatë, në Shqipëri ditën e sotme u bënë publike rregullat e reja që lejojnë plotësisht hapjen e lokaleve dhe restoranteve. Gjatë dimrit të gjithë do të mund të ulen brenda dhe mbajtja e distancës do të jetë akoma më e vështirë.

OBSH thekson se ky do të jetë normaliteti ynë i ri që do të zgjasë për të paktën 2 vite. Prandaj, mbani maskat, dorezat, dezinfektantët qëndroni të paktën 1.5 metra larg nga njëri-tjetri, lani duart dhe mos pështyni në tokë.