Gossip

A do të ndikojë skandali me armë i Karim Adeyemi rolin e tij në ekipin e Dortmund?

Ylli i Borussia Dortmund dhe i kombëtares gjermane, Karim Adeyemi, është futur në qendër të vëmendjes këtë fundjavë, pasi sipas tabloidit gjerman Bild, ka marrë një urdhër penal dhe është gjobitur me 450,000 euro për posedim armësh të paligjshme.

Raportohet se sulmuesi 22-vjeçar është kapur në posedim të një grushti hekuri (knuckle duster) dhe një taseri elektrik, mjete që në Gjermani konsiderohen armë të ndaluara dhe klasifikohen si objekte që rrezikojnë sigurinë publike.

Trajneri i Gjermanisë, Julian Nagelsmann, konfirmoi në konferencën për shtyp se ai dhe drejtori sportiv Rudi Völler kanë biseduar me lojtarin, por nënvizoi se fokusi kryesor mbetet te ndeshja vendimtare e së hënës në kualifikueset e Botërorit 2026 kundër Sllovakisë.

Është një çështje që kërkon shumë kohë dhe vëmendje. Ne kemi një ndeshje të rëndësishme nesër. Do të merremi me këtë pas ndeshjes

-deklaroi Nagelsmann, duke sinjalizuar se skuadra po përpiqet të shmangë shpërqendrimet në këtë moment kritik.

Megjithë polemikat, nga kampi gjerman bëhet e ditur se Adeyemi pritet të jetë i gatshëm për sfidën ndaj Sllovakisë, pasi procedurat ligjore nuk e pengojnë atë të marrë pjesë në aktivitetet sportive.

Gjermanisë i mjafton një barazim për të siguruar kualifikimin në Kupën e Botës 2026, çka e kthen sfidën e së hënës në një takim me peshë të madhe sportive, pavarësisht zhurmës jashtë fushe që ka shoqëruar emrin e Adeyemit.