Gossip

Karim Adeyemi gjobitet 450 mijë euro për armëmbajtje pa leje? Përfshihet edhe Loredana?

Karim Adeyemi, sulmuesi i kombëtares gjermane dhe yll i Borussia Dortmund, është dënuar me një gjobë prej 450,000 eurosh nga autoritetet gjermane, pasi në pronësinë e tij dhe të partneres, këngëtares me origjinë shqiptare Loredana Zefi, u gjetën armë pa leje.

Sipas të përditshmes gjermane Bild, ngjarja ka ndodhur rreth një vit më parë, kur policia ka zbuluar “dy objekte të klasifikuara si armë të ndaluara” mes sendeve të çiftit, duke çuar në nisjen e menjëhershme të procedurave penale.

Gjykata gjermane ka vendosur një gjobë të rëndë financiare për 22-vjeçarin Adeyemi, me një total prej 450 mijë eurosh, që do të shlyhet në 60 këste mujore nga 7,500 euro secila.

Nuk është dhënë dënim me burg dhe as nuk është regjistruar një shënim penal, por mediat gjermane e kanë cilësuar rastin si një “dëmtim të rëndë për imazhin e një futbollisti të kombëtares”.

Adeyemi nuk ka reaguar publikisht për çështjen, por menaxheri i tij, Jorge Mendes, ka bërë të ditur se armët nuk janë blerë me qëllim nga çifti. Sipas tij, ato kanë qenë pjesë e një “mystery box” të porositur përmes TikTok, megjithatë kjo nuk e përjashton përgjegjësinë ligjore për posedimin e tyre.

Borussia Dortmund ka dalë me një deklaratë zyrtare duke bërë të ditur se klubi “e trajton me seriozitet çdo çështje penale” dhe se është në kontakt të vazhdueshëm me lojtarin dhe autoritetet.

Ende nuk dihet nëse ndaj Adeyemit do të ndërmerren masa disiplinore të brendshme, por mediat gjermane raportojnë se incidenti ka shtuar kritikat për sjelljen e tij jashtë fushe dhe se një hetim i brendshëm nga klubi pritet të hapet.