Lifestyle

A duhet ta ndajmë picën me miqtë tanë me katër putra?

Edhe pse për njerëzit konsiderohet si një nga ushqimet më të dashura, pica mund të jetë e dëmshme për shëndetin e qenve. Sipas ekspertëve veterinarë, përbërësit kryesorë të saj nuk janë të përshtatshëm për sistemin e tyre tretës dhe mund të shkaktojnë pasoja serioze.

Ndër elementët më problematikë renditen djathi, i cili shpesh u shkakton qenve intolerancë ndaj laktozës, si dhe salamet e mishrat e përpunuar, të pasur me kripë dhe erëza të rrezikshme për veshkat dhe zemrën.

Po ashtu, qepa dhe hudhra janë toksike edhe në sasi të vogla, duke dëmtuar qelizat e gjakut. Një tjetër rrezik paraqet brumi i papjekur me maja, i cili mund të fermentohet në stomak dhe të shkaktojë dhimbje të forta apo helmim.

Konsumimi i picës te qentë mund të çojë në të vjella, diarre, probleme me pankreasin, shtim në peshë dhe në raste më të rënda dëmtim të organeve të brendshme.

Veterinerët këshillojnë që në vend të picës, pronarët t’u ofrojnë qenve ushqime të posaçme për ta ose alternativa të sigurta si karrota, mollë pa bërthama apo snacks të dedikuara për kafshët.

Dashuria për mikun tuaj me katër putra nuk tregohet duke ndarë një fetë pice, por duke u kujdesur që ai të konsumojë ushqime të shëndetshme e të sigurta.