Depresioni është një nga çrregullimet më të zakonshme mendore që prekin miliona njerëz në mbarë botën. Ky problem është paksa kompleks dhe shkaktohet nga një kombinim i faktorëve biologjikë, psikologjikë dhe socialë. Ata që preken nga depresioni përjetojnë ndryshime të dukshme në sjellje, emocione dhe funksionimin e përditshëm, duke përfshirë edhe simptoma fizike që mund të jenë shumë shqetësuese.
Simptomat fizike
Shumë studime kanë treguar se simptomat fizike të depresionit janë të ndryshme dhe ndodhin për shkak të ndikimit të tij në funksionimin e trupit. Ato përfshijnë ndryshime të regjimit të gjumit, humbje oreksi dhe rënie të energjisë, si dhe dhimbje koke ose shpine.
Disa individë mund të vërejnë ndryshime në peshën e trupit. Këto simptoma janë të lidhura ngushtë me mënyrën se si depresioni ndikon në disa zona të trurit që rregullojnë funksionet fiziologjike të trupit. Për pasojë, ata që vuajnë nga depresioni janë më të ndjeshëm ndaj dhimbjeve kronike.
Përveç kësaj, individët që preken nga depresioni shpesh përjetojnë probleme të gjumit – ata mund të vuajnë nga mungesa e gjumit, por gjithashtu ndiejnë nevojën të flenë më shumë për të kompensuar lodhjen. Trajtimi i depresionit përmes terapive dhe medikamenteve mund të lehtësojë këto simptoma fizike, por nëse dhimbjet fizike vazhdojnë pas trajtimit, mund të nënkuptojë se depresioni nuk është trajtuar plotësisht.
Faktorët që e nxisin më shumë
Ekspertët e shëndetit mendor kanë identifikuar disa sjellje dhe veprime që mund të nxisin depresionin ose ta përkeqësojnë atë. Fiksimi pas aspekteve negative të jetës është një ndër këto veprime.
Ata që përqendrohen vetëm në gjërat që shkojnë keq, janë më të prirur për të zhvilluar prirje depresive. Sipas ekspertëve, është e rëndësishme që individët të gjejnë një balancë të shëndetshme dhe të përpiqen të shohin mundësitë pozitive, për të shmangur ndikimin e depresionit.
Abuzimi me alkoolin dhe substancat narkotike për të shpëtuar nga realiteti gjithashtu është një faktor që mund të përkeqësojë depresionin. Ky është një cikël vicioz që është shumë i vështirë për t’u thyer dhe mund të çojë në një përkeqësim të gjendjes shpirtërore. Izolimi nga shoqëria dhe njerëzit e dashur gjithashtu mund të jetë një tregues i depresionit.
Përdorimi i tepruar i rrjeteve sociale dhe ekspozimi ndaj lajmeve negative apo tragjike janë gjithashtu faktorë që mund të shtojnë ndjeshëm ndjenjat depresive. Një individ që konsumon shumë lajme të këqija dhe e kalon shumë kohë në rrjetet sociale ka tendencën t’i japë një rëndësi të madhe shqetësimeve të përditshme dhe t’i ekzagjerojë ato.
Përveç faktorëve të mësipërm, disa veprime të tjera janë gjithashtu të lidhura me depresionin. Pasja e marrëdhënieve toksike, mungesa e gjumit, neglizhimi i kujdesit për veten, kequshqyerja dhe mungesa e aktivitetit fizik janë të gjitha faktorë që mund të kontribuojnë në zhvillimin e depresionit. Ata që vuajnë nga depresioni kërkojnë mbështetje të fortë dhe shumë durim për të kaluar këtë periudhë të vështirë.
Për trajtimin e depresionit, ekspertët sugjerojnë një qasje të kombinuar që përfshin një dietë të shëndetshme, aktivitet fizik dhe përdorimin e barnave të rekomanduara nga mjeku.
Po ashtu, përdorimi i disa bimëve mjekësore që kanë veti qetësuese mund të ndihmojë në përmirësimin e gjendjes shpirtërore dhe trupore.