Sipas ekspertëve, nëse do ta dinim se çfarë ndodh realisht brenda çorapeve pas vetëm një dite përdorimi, ndoshta do t’i shikonim ndryshe. Këmbët tona strehojnë një “pyll tropikal” mikroskopik me baktere dhe kërpudha deri në 1.000 lloje të ndryshme mikroorganizmash. Krahasuar me pjesë të tjera të trupit, këmbët kanë një larmi shumë më të madhe kërpudhash dhe një numër të lartë gjëndrash djersitëse. Mjedisi i ngrohtë dhe i lagësht mes gishtërinjve krijon kushtet ideale për shumimin e baktereve dhe kërpudhave, të cilat ushqehen me djersën dhe qelizat e vdekura të lëkurës.
Nënproduktet e këtij procesi janë përgjegjëse për aromat e pakëndshme që zhvillohen në këmbë, çorape dhe këpucë. Disa baktere prodhojnë aroma që ngjajnë me qepë të prishur, të tjera me djathë, ndërsa disa krijojnë përbërje acidike me erë që është përshkruar madje si “erë dhie”. Sa më shumë të djersiten këmbët, aq më shumë “ushqim” kanë bakteret dhe aq më e fortë bëhet aroma. Ekspertët rekomandojnë ndërrimin e përditshëm të çorapeve, përdorimin e materialeve që lejojnë ajrosjen e këmbës dhe higjienë të rregullt, për të shmangur zhvillimin e baktereve dhe infeksioneve të mundshme kërpudhore.
Ndërkaq, një eksperiment i kryer nga Universiteti i Groningenit në Holandë ka treguar se çorapet mund të ndihmojnë në arritjen e orgazmës, si te gratë ashtu edhe te burrat. Shpjegimi është se këta aksesorë pengojnë ftohjen e këmbëve gjatë marrëdhënies, gjë që mund të jetë shpërqendruese, të krijojë parehati ose t’i pengojë partnerët të çlirohen plotësisht. Studimi, i udhëhequr nga Gert Holstege dhe ekipi i tij, përfshiu 13 çifte heteroseksuale të moshës 19–49 vjeç. Në dhomën ku u zhvillua eksperimenti u eliminuan zhurmat dhe shpërqendrimet, ndërsa ndriçimi u mbajt i zbehtë.