Për një person të punësuar, numri mesatar i orëve javore të punës ka pësuar një rënie të lehtë vitin e kaluar në 41.3 orë, nga 41,6 më 2023-shin. Sektori i bujqësisë kryeson me orët më të ulëta javore të punës, me 35.5 më 2024-ën nga 36,5 në vitin 2023. Bujqësia është një sektor me sezonalitet të lartë, çka ndikon në një mesatare më të ulët javore të orëve të punës në krahasim me sektorët e tjerë, të prodhimit e tregtisë.
Ndër sektorët me ngarkesën më të ulët të punës qëndron administrata publike dhe shërbimet sociale. Por vitin e kaluar, administrata ka qëndruar më gjatë në punë, me orët javore që shënuan rritje të lehtë nga 40,3 më 2023-shin në 40,5 më 2024-ën.
Në kundërt, sektorët e tregtisë, transportit, hotelerisë e shërbimeve të biznesit regjistrojnë më shumë orë në punë, duke u rritur lehtë nga 46,7 në vitin 2023 në 46,8 më 2024-ën. Ky trend tregon për ritme më të larta pune në këto aktivitete që lidhen ngushtë me konsumin e shërbimet dhe zhvillimet në sektorin e turizmit.
Edhe prodhimi ruan ngarkesë të lartë pune, nga 46,6 orë në vitin 2023 në 46,4 më 2024-ën, duke u renditur ndër sektorët me më shumë orë.
Sektori i ndërtimit ndjek të njëjtin trend, ndonëse ka shënuar ulje të lehtë nga 45,2 orë në vitin 2023 në 45,1 në vitin 2024. Nga ana tjetër, industria nxjerrëse, energjia, gazi dhe furnizimi me ujë shënojnë rritje të lehtë të orëve mesatare, nga 43 orë më 2023-shin në 43,2 orë në vitin 2024, duke reflektuar qëndrueshmërinë që kanë këto sektorë si nga flukset e kërkesës ashtu edhe të prodhimit.
Në Shqipëri punohet shumë më gjatë se në BE
Në vitin 2024, punonjësit shqiptare kishin oraret më të zgjatuara të punës në javë në krahasim me BE-në. Mesatarja e Bashkimit Europian, sipas Eurostat-it ishte 36 orë në javë, rreth 5 më pak se në Shqipëri. Me orët më të gjata javore të punës ishin Greqia (41 orë), Rumania (39.5), Polonia (39.3) dhe Bullgaria (39.0). Në të kundërt, Holanda, kishte javën më të shkurtër të punës (32.2 orë), e ndjekur nga Austria (33.6) dhe Gjermania (34.0)./ Monitor