Aktualitet Politikë

Adriatik Lapaj në Grabjan: 500 mijë shqiptarë ikin nga vendi nëse nuk ka ndryshim më 12 maj!

Me ekipin e “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj ishte në Grabjan të Lushnjës për një bashkëbisedim me banorë e fermerë, në prag të zgjedhjeve parlamentare të 11 Majit. Duke nënvizuar se nuk ka forcë më të madhe se populli kur bashkohet, Lapaj theksoi se po jetojmë një kohë të vështirë dhe u shpreh se ndërkohë që bota krijon koloni në Mars, ende shqiptarët nuk janë të lirë të thonë fjalën e tyre.

Në lidhje programin e koalicionit, Lapaj tha se një nga prioritetet është bujqësia, blegtoria dhe mbështetja e fermerëve. Sipas tij, në rast se vijohet me të njëjtën klasë politike edhe pas zgjedhjeve, “12 maji do të jetë një ditë shumë e keqe pasi 500 mijë shqiptarë do të ikin nga vendi”.

Njerëzit rrinë të strukur e në cepa për shkak të një sistemi që e ka detyruar të jenë të tillë. Jetojmë në vitin 2025, në një kohë kur bota po shkon në Mars e po ndërton koloni në Hënë. Në Shqipërinë tonë, ende njerëzit kanë frikë të thonë mendimin e tyre. Jemi këtu në Grabjan e po shkojmë në çdo fshat që të tregojmë një vizion e model të ri.

Duhet të keni parasysh se 12 maji, në rast se do të vijojë kjo klasë politike do të jetë në rastin më të mirë si sot e në rastin më të keq do të ikin edhe 500 mijë të tjerë nga Shqipëria.

A jeni të lumtur me jetën që bëni, a merrni subvencione, pagesa për bujqësinë, e merrni ilaçe cilësore, kujdes shëndetësor, po pensionet i keni të larta? Po atëherë për çfarë duhet të rrini me këta? Ndaj, 12 maji është e tmerrshme nëse vijoni me këta sepse do të marrin mesazhin që edhe pse ju vodhën e tallën sërish i votuat. Do t’ju shtypin edhe më shumë se pse ju sërish i votuat.

Jemi si një shtëpi që nëse babai vjedh shtëpinë për të luajtur kumar e për të marrë makina të shtrenjta me kredi, ajo familje nuk mund të pasurohet. Një familje që vidhet nga kryefamiljari nuk është një familje e mirë. Kështu edhe shteti. Kur vidhet shteti, vidheni ju, vuri në dukje Lapaj.