Bota

Agresioni rus, Macron: Ukraina është gati për një armëpushim pa kushte!

Presidenti francez Emmanuel Macron tha sot se ka pasur një bisedë “shumë pozitive” me homologun e tij ukrainas Volodymyr Zelensky, se Ukraina është gati për një armëpushim pa kushte dhe se i ashtuquajturi “Koalicioni i të Vullnetit” nën Francën dhe Britaninë do të vazhdojë të punojë për të arritur këtë, por edhe për një paqe të qëndrueshme.

 “Përfundimi i luftës në Ukrainë. Ky është qëllimi ynë i përbashkët me Presidentin e SHBA-së, Donald Trump”, shkroi Macron në një postim në platformën X.

“Ukraina është gati për një armëpushim pa kushte. Presidenti Zelensky ma përsëriti këtë sot. Ai do të donte të punonte me amerikanët dhe evropianët për ta bërë të mundur këtë”, shtoi më tej Macron.

Sipas presidentit francez, Emmanuel Macron, askush nuk mund të presë që presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky të pranojë kushtet e armëpushimit ndërsa Kievi, është nën bombardime.

Rusia goditi Kievin me raketa dhe dronë gjatë natës, duke vrarë të paktën 9 persona, duke plagosur më shumë se 70 dhe duke dëmtuar ndërtesa në sulmin më të madh në kryeqytetin ukrainas që nga fillimi i vitit.

Duke folur nga kryeqyteti i Madagaskarit, Antananarivo, ku ndodhet në një vizitë shtetërore, Macron tha se shpresonte se “Presidenti  Vladimir Putin më në fund do të ndalojë së gënjyeri kur ai pretendon se dëshiron “paqe” ndërsa vazhdon të bombardojë Ukrainën.