Për herë të parë që nga nisja e rrugëtimit të tij në shtëpinë e Big Brother VIP Albania 5, ka reaguar publikisht bashkëshortja e Rogertit. E ftuar në emisionin “Big Brother Radio”, Enxhi ka ndarë këndvështrimin e saj personal mbi lojën e tij, duke sjellë një tjetër dimension të figurës që publiku po sheh çdo ditë në ekran.
I cilësuar shpesh si antagonist, me një qasje të fortë dhe sjellje të ashpër brenda shtëpisë, Rogerti ka krijuar jo pak diskutime mes banorëve dhe publikut. Por sipas Enxhit, realiteti jashtë kamerave është krejt ndryshe nga perceptimi i krijuar në lojë. Në këtë intervistë ekskluzive, ajo rrëfen se si është ai në jetën e përditshme, çfarë fshihet pas qëndrimit të tij të ftohtë në lojë dhe si e përjeton familja këtë eksperiencë intensive që po ndiqet nga e gjithë Shqipëria.
Le ta nisim si fillim me jetën e tyre personale e jashtë kamerave të BBV. Si janë njohur ata të dy?
Historia jonë është e bukur do thoja unë. Është histori me dashuri me shikim të parë, ashtu siç edhe Rogerti e ka përmendur aty brenda. Jemi njohur në një rreth familjar, në një event familjar, ku kemi pasur ato kontaktet minimaliste në fillim. Pastaj Rogerti mori guximin të komunikonte nëpërmjet babit tim për të gjetur një urë lidhëse me mua. Tradicional.
Më pas në ekran, u shfaq edhe një foto nga dasma e tyre, ku Rogerti ishte duke mbajtur fjalimin e tyre. Ajo shtoi:
Ky ka qenë një moment shumë emocionues i dasmës sonë ku Rogerti më kishte dedikuar një poemë sepse Rogerti shkruan. Në thelb ishte që unë isha dashuria e tij. Të tjerat pastaj nga emocionet realisht nuk i mbaj mend.
Gjatë qëndrimit të tij brenda shtëpisë duket se ai e përmend goxha shumë, si është ky raport?
E di dhe e shikoj që ai ka një mekanizëm mbrojtje shumë të fuqishëm. Në kuptimin që ai po tregon të duket i fortë.
Gati një dekadë bashkë dhe dashuria e tyre u finalizua edhe me lindjen e djalit të tyre, Marlon. Si e sheh ai Rogertin?
E para njëherë është emision që nuk shihet nga fëmijët. Mundohem mos ta sikletos shumë të them të drejtën sepse Marlon i mungon Rogerti shumë. Rogerti është pjesë e rutinës së Marlon dhe gjëja më e bukur e rutinës së Marlon është koha e gjumit dhe ato rrëfimet e darkës i do vetëm me babin. I mungon shumë. Mundohet ta injorojë, sikur i mban inat nga televizori, por kam vetëm dy momente delikate kur ai e puth nga televizori se e dëgjoi që po i këndonte një këngë të tij. I mungon shumë. I mungon shtëpisë.