Aksident me vdekje në orët e para të mëngjesit në kryeqytet. Në rrugën “29 Nëntori”, një 70-vjeçar u përplas nga një automjet ndërsa ishte duke kaluar trafik-ndarësen. Për pasojë i moshuari, i cili sipas policisë nuk është identifikuar ende, ka humbur jetën. Drejtuesi u shoqërua në Komisariat e grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të aksidentit dhe identifikimin e viktimës.
Tiranë/Informacion paraprak
Me datë 29.04.2025, rreth 02:25, në rrugën “29 Nëntori”, automjeti me drejtues shtetasin J.M., rreth 35 vjeç, ka aksidentuar një këmbësor ende të paidentifikuar rreth 70 vjeç, i cili po kalonte trafikndarësen, dhe si pasojë ka humbur jetën.
Drejtuesi i automjetit është shoqëruar në Komisariat, për veprime të mëtejshme. Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të aksidentit dhe për identifikimin e viktimës.
Gjatë periudhës janar-shkurt 2025, numri i aksidenteve rrugore pësoi ulje prej 21,1%, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Në 81,8% të aksidenteve, shkaqet kryesore janë të lidhura me sjelljen e drejtuesve të mjeteve. Grupmoshat më të prekura nga aksidentet janë ata të moshave 25-34 vjeç dhe 45-59 vjeç, duke zënë secila nga 23,9% të numrit të aksidenteve.
Dita e enjte ka regjistruar numrin më të lartë të aksidenteve gjatë muajit shkurt, me 20,5%, ndërsa dita e diel ka qenë dita me numrin më të ulët të aksidenteve, me 9,1%. Numri më i lartë i aksidenteve ka ndodhur përgjatë harkut kohor 19:00-24:00, duke zënë 19,3% të aksidenteve gjithsej.
Pavarësisht uljes së numrit të aksidenteve në krahasim me vitin e kaluar, akoma mbeten shumë faktorë që kërkojnë vëmendje për të reduktuar më tej numrin e aksidenteve dhe për të rritur sigurinë rrugore.