Ndërron jetë edhe i mituri tjetër, i aksidentuar mbrëmjen e djeshme në fshatin Stom-Golem, të Shkodrës. Ai dhe 16 vjeçari që për fat të keq humbi jetën më herët, po udhëtonin me motor. Me humbjen e kontrollit, mjeti u përplas me një mur. Ngjarja ndodhi rreth orës 18:20.
Rreth orës 18:20, në vendin e quajtur “Stom Golem”, dyshohet se një i mitur 16-vjeçar, duke drejtuar një motomjet, ka humbur kontrollin mbi drejtimin e motomjetit dhe për pasojë motomjeti ka dalë nga rruga, ku 16-vjeçari ka humbur jetën në vendin e ngjarjes.
Në motomjet dyshohet se udhëtonte dhe një i mitur 14-vjeçar, i cili u dërgua në spital në gjendje të rëndë shëndetësore. Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për sqarimin e rrethanave dhe shkakut të aksidentit.
Fillimisht, policia njoftoi se 16 vjeçari humbi jetën në vendin e ngjarjes ndërsa shoku i tij u dërgua me urgjencë në Spitalin e Shkodrës për mjekim, por nuk ia doli, pavarësisht të gjitha përpjekjeve të bluzave të bardha për ta shpëtuar. Uniformat blu vijojnë hetimet për të zbardhur dinamikën e aksidentit fatal, si dhe shkaqet.
Gjatë periudhës janar-shkurt 2025, numri i aksidenteve rrugore pësoi ulje prej 21,1%, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Në 81,8% të aksidenteve, shkaqet kryesore janë të lidhura me sjelljen e drejtuesve të mjeteve. Grupmoshat më të prekura nga aksidentet janë ata të moshave 25-34 vjeç dhe 45-59 vjeç, duke zënë secila nga 23,9% të numrit të aksidenteve.
Dita e enjte ka regjistruar numrin më të lartë të aksidenteve gjatë muajit shkurt, me 20,5%, ndërsa dita e diel ka qenë dita me numrin më të ulët të aksidenteve, me 9,1%. Numri më i lartë i aksidenteve ka ndodhur përgjatë harkut kohor 19:00-24:00, duke zënë 19,3% të aksidenteve gjithsej.
Pavarësisht uljes së numrit të aksidenteve në krahasim me vitin e kaluar, akoma mbeten shumë faktorë që kërkojnë vëmendje për të reduktuar më tej numrin e aksidenteve dhe për të rritur sigurinë rrugore.