Aksident rrugor me një të plagosur pranë fshatit Vloçisht të Maliqit. Drejtuesi i një autobusi mbeti i lënduar, pasi mjeti që drejtonte u përplas nga një kamion tip “Volvo”, rreth orës 13:00, në aksin Korçë-Pogradec. I plagosuri u dërgua në spitalin e Korçës për ndihmë mjekësore. Autobusi kishte pasagjerë, por fatmirësisht shpëtuan pa dëmtime. Grupi hetimor po punon për zbardhjen e rrethanave dhe përcaktimin e shkaqeve të aksidentit. Për shoferin e kamionit vijojnë veprimet procedurale.
Njoftimi zyrtar i Policisë:
Më datë 12.05.2023, rreth orës 13:00, në aksin rrugor “Korçë-Pogradec”, pranë fshatit Vloçisht, Maliq, automjeti kamion tip “Volvo” me drejtues shtetasin V. M., është përplasur me automjetin autobus tip “Benz” me drejtues shtetasin G. M. Për pasojë është dëmtuar drejtuesi i autobusit shtetasi G. M., i cili po transportohet për ndihmë mjekësore, në spitalin e Korçës.
Me drejtuesin e automjetit kamion, shtetasin V. M., po kryhen veprimet e mëtejshme procedurale. Grupi hetimor po punon për zbardhjen e rrethanave dhe përcaktimin e shkaqeve të aksidentit.
Ndërkaq, rreth mesnate u regjistrua një aksident i rëndë me pasojë vdekjen e një shtetasi rus në Tiranë. Në zonën e Saukut, në këtë aksident u përfshi një automjet i ambasadës së Rusisë. Te mbikalimi në Mjull Bathore, makina u përplas me banderolën metalike, doli nga rruga e goditi bordurën. Viktimë mbeti një 36-vjeçar rus, i cili udhëtonte si pasagjer. Drejtuesi i moshës 30-vjeç ndodhet në spital. Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të aksidentit. Mësohet se automjeti lëvizte me shpejtësi të lartë.