Dy motrat Elvisa dhe Rozina Dhimaku, 22 dhe 20 vjeçe, po udhëtonin nga Delvina në drejtim të Sarandës kur 23-vjeçari Kevin Nora u doli përballë në korsinë e tyre dhe u përplasën ‘kokë më kokë’. Aksidenti rezultoi fatal për dy motrat, të cilat humbën jetën si pasojë e plagëve të marra, ndërsa pasagjerja 24-vjeçare Antonela Zhupa është jashtë rrezikut për jetën.
I riu Kevin Nora, me një mjet tip Audi, po udhëtonte nga Saranda në drejtim të Gjirokastrës kur u përfshi në aksidentin e rëndë në aksin Delvinë-Sarandë mbrëmjen e djeshme. 23 vjeçari ka rezultuar i dehur në timon dhe për këtë arsye blutë e qytetit bregdetar tashmë e vunë në pranga.
Mësohet se ai ka tentuar të parakalojë me shpejtësi një mjet. Në atë moment, për shkak të parakalimit të gabuar, dy mjetet janë përplasur kokë më kokë dhe vajzat humbën jetën. Përplasja ka qenë shumë e fortë saqë makinat janë bërë copash dhe njëra prej tyre është përmbysur në mes të rrugës. 20 vjeçarja Rozina Dhimaku studionte për Mjekësi.