Dalin detaje të reja nga atentati ndaj 50-vjeçarit Thimjo Rubati në Sarandë. Sipas burimeve autorët kanë qëlluar 9 herë me armë zjarri tip pistoletë 9 mm në drejtim të Rubatit, përpara biznesit të tij.
Pas të shtënave, dy personat e dyshuar nuk janë larguar menjëherë, por janë kthyer sërish në drejtimin nga kishin ardhur, duke ndjekur të njëjtën rrugë largimi.
Autorët janë drejtuar drejt zonës së plazheve në pjesën e Baba Rexhepit, ku dyshohet se mund të jenë larguar më pas me skaf.
50-vjeçari Thimjo Rubati mbeti i plagosur rëndë pas sulmit dhe u transportua për trajtim më të specializuar në spitalin e Janinës. Më herët ai mori ndihmën e parë në spitalin e Sarandës, ku iu dhanë edhe transfuzione gjaku.
Grupi hetimor po punon për identifikimin e autorëve, ndërsa një nga pistat që po verifikohet është edhe një lidhje e mundshme me plagosjen e oficerit Mihal Velço, një ditë më parë.